VOA: Votimet në Qarkun e Gjirokastrës

Shqipëria

VOA: Votimet në Qarkun e Gjirokastrës

Më: 25 prill 2021 Në ora: 17:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Qarkun e Gjirokastrës votimet e sotme kanë shënuar probleme teknike, por jo incidente, ndërkohë që pritet një pjesëmarrje më e ulët se në zgjedhjet e shkuara. Në Pikën kufitare të Kakavijës në kufi me Greqinë nuk u vunë re dy ditët e fundit kthime të emigrantëve nga Greqia dhe kjo pritet të ndikojë pjesëmarrjen në votime në mjaft zona ndërkufitare të këtij qarku. Ulja e pjesëmarrjes e bën më të fortë garën mes tre subjekteve kryesore politike, ku do të zgjidhen në këtë qark katër nga pesë deputetë që ishin në zgjedhjet e shkuara.

Si asnjëherë më parë, në votimet për këto zgjedhje parlamentare, në Pikën e Kakavijës në kufi me Greqinë nuk ka të dielën një ritëm lëvizjesh të emigrantëve shqiptarë që kthehen nga Greqia për votime. Situata e pandemisë në Greqi dhe një vendim i autoriteteve shqiptare për vendosjen e karantinës 14 ditore për qytetarët që hyjnë nga Greqia ka ndikuar në lëvizjen në kufi. Sipas policisë së Gjirokastrës vetëm 571 shtetas shqiptarë hynë nga Greqia 24 orët e fundit, një shifër e ngjashme me ritmin normal të lëvizjes ditore gjatë muajve të fundit. Mungesa e kthimit të emigrantëve ka ndikuar vecanërisht në zonat që banohen nga pakica greke, por edhe zonat e tjera ndërkufitare me Greqinë në Gjirokastër dhe në Sarandë. Në Derviçian të Gjirokastrës, një nga fshatrat me më shumë banorë të Bashkisë së Dropullit, pjesëmarrja e votuesve deri në mesditë ishte tejet e ulët. Komisionet e votimit në këtë qark nuk raportuan incidente, ndërkohë që procesi është ndjekur nga vëzhguesit e OSBE- së që janë interesuar drejtpërdrejtë pranë qendrave të votimit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ndërkohë në Gjirokastër pjesëmarrja e votuesve ka qenë më e lartë dhe krahas disa problemeve teknike që u raportuan në fillim të procesit nuk janë shënuar incidente. Ndër këto probleme ishte mosfunksionimi i pajisjes elektronike së leximit të kartave indetifikuese në disa qendra votimi që është tejkaluar dhe votimi ka vijuar normalisht. Raportimet paraprake kanë folur për një rast të evidentimit të fotografimit të votës dhe në një rast tjetër për një konflikt verbal mes komisionerëve të partive në një qendër votimi që ka pezulluar përkohësisht procesin. Si edhe zgjedhjet e shkuara pranë qendrave të votimit janë vënë re militantë të partive kryesore por që ndjekin në distancë procesin e votimit.

Rreth 124 mijë zgjedhës janë thirrur për votimet e 25 prillit në Qarkun e Gjirokastrës në 207 qendra votimi, ndërkohë që 7 qendra të numërimit janë ngritur në 7 bashkitë e këtij qarku. Qendrat janë gati të presin fletët e votimit dhe pranë tyre numëruesit kryejnë procesin paraprak të trajnimit.

Siç kanë treguar zgjedhjet e shkuara në votime në këtë qark shkon rreth 45% e zgjedhësve dhe këtë vit prania pritet të jetë edhe më e ulët prej mungesës së emigrantëve. Qarku këtë vit ka 1500 zgjedhës më pak se në 2019-ën dhe kjo ka bërë që nga 5 mandate, qarku të prodhojë 4 mandate për deputetë. Për herë të parë në shtatë bashkitë e këtij qarku shkojnë në zgjedhje rreth 7500 të rinj që mbushin moshën për të votuar. Veç tri partive kryesore, socialistëve, demokratëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që kanë marrë mandate në Gjirokastër në zgjedhjet e katër viteve më parë, sot garojnë edhe tre subjeket e vogla politike, Partia Socialdemokrate, Nisma “Thurje” dhe “Vetëvendosja”./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat