Interesi i lartë i qytetarëve për të votuar por edhe problemet me pajisjet e identifikimit krijuan radhë në qendrën e votimit në zonën e Freskut në Tiranë.
disa prej votuesve thanë se pritën për rreth dy orë pranë qendrave në shkollën “17 shkurti”.
"Kam dy orë që rri në radhë dhe padashje nuk votoj dot," thotë qytetari.
"Kishte problem sistemi. Nuk funksiononte, kështu thoshin dhe kemi ardhur pas tre orësh," thotë qytetari.
Përveç dëmtimit të dy pajisjeve të identifikimit me sa duket qytetarët kanë pasur edhe probleme me listat.
"Kemi vështirësi, nuk dimë ku janë emrat, megjithëse emrat janë këtu po kush rri i kontrollon me radhë. Shyqyr që njerëzit duan të votojnë, kjo është gjë e mirë, " thotë qytetari.
Pjesëmarrja e lartë duket se lidhet me pritshmëritë që qytetarët kanë për zgjedhjet.
"Mos kemi diferencë nga ata," thotë qytetarja.
"Unë jam pensioniste, të më rritet pak pensioni," thotë një e moshuar.
"Për kushte më të mira, kushtet e punës, rogat të rriten, pensionet të rriten," thotë qytetarja.
Votuesit kërkojnë rritje të mirëqenies ekonomike, si pensionet, rrogat për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.
"Ndryshim. Ambienti, shkollat, puna, gjithçka," thotë qytetarja.
Fluksi i qytetarëve ka sjellë dhe grumbullime edhe pse rekomandimet e mjekëve janë për shmangien e situatave të tilla në kushtet e pandemisë.
"Nuk është normale që në këtë periudhë pandemie të jenë kaq pak zyra dhe kaq shumë njerëz," thotë qytetari.
Pas votimit masiv, qytetarët apelojnë edhe që procesi i numërimit të votave të jetë i rregullt në mënyrë që verdikti i tyre të mos tjetërsohet
"Që të numërohet vota një për një, kaq. Të lexohet vullneti i popullit," thotë qytetari.