Kandidati për kryeministër nga Partia Socialiste, Edi Rama, ka thënë se nga procesi i votimit që është zhvilluar, këtë të diel, e fituar do të dalë e gjithë Shqipëria.
“Nesër dielli lind përsëri, Shqipëria do të buzëqesh. Ne nuk duam vetëm rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse përsëri, duam që siç ishte kjo ditë kaq e bukur, kaq e qetë, kaq qytetare falë mirësjelljes demokratike të të gjithëve duhet të jetë edhe vazhdimi i këtij procesi. Nga ky proces do të dalë e fituar Shqipëria dhe jo vetëm partia që do të vazhdojë të qeverisë vendin, ka thënë Rama
Rama në një konferencë për media ka deklaruar se votat pas përfundimit të procesit të votimit çdo votë duhet të numërohet në formë të drejtë dhe me përgjegjësi.
“Populli ka folur. Tani duhet të dëgjojmë popullin dhe detyra jonë, detyra e çdo numëruesi, e çdo vëzhguesi në çdo qendër numërimi është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe ligjore të kontribuojnë për të numëruar në mënyrë korrekte votat që janë në kuti. Hamendjet, sondazhet, exit pollet, pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisëse përsëri i përkasin thjesht dhe vetëm parashikimeve para ndeshjes. Tani është rezultati i të gjitha kutive të votimit që është rezultati i ndeshjes. Ju lutem shumë të gjithëve, përqendrohuni në detyrën tuaj”, ka thënë Rama.