​“Nuk dorëzohemi”, Basha: Betejë jo me një kundërshtar politik por me një regjim

Shqipëria

​“Nuk dorëzohemi”, Basha: Betejë jo me një kundërshtar politik por me një regjim

Më: 27 prill 2021 Në ora: 20:09
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka dalë sonte në një konferencë për shtyp ku ka akuzuar qeverinë Rama për manipulimin e procesit zgjedhor.

Sipas tij, qeveria bleu vota, shantazhoi dhe nxori mijëra vota të pavlefshme.

“U deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist por ia dolëm. Edhe këto muaj ne bëmë betejë për demokracinë, unë besoja se ne do ta fitonim dhe do t’ia rikthenim Shqipërisë demokracinë. Këto zgjedhje nuk kishin të bëjnë me demokracinë. Ne hymë në betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim. Mijëra vota të pavlefshme, miliona euro të hedhura për blerjen e votës. Përdorën milionat e koncensioneve, kriminelët dhe bandat, shantazhuan administratën. Do vazhdojmë të luftojmë për demokracinë. Kush mendon se do dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne jemi më të fortë”, deklaroi Basha.

Deri më tash janë numëruar mbi 97 për qind e votave dhe Partia Socialiste e Edi Ramës ka dalë fituese me 74 mandate në Kuvendin prej 140 ulësesh, pasuar nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës me 59 mandate.

Në fjalën e tij të parë pas fitores në zgjedhjet e djeshme, kryetari i PS-së, njëherësh kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Lulzim Bashës që të pranojë humbjen.

Ndërkohë, Partia Demokratike i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku e njofton për parregullsitë e regjistruara gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave.

Për këtë arsye, PD i kërkon KQZ t’i verë në dispozicion kamerat në qendrat e votimit dhe KZAZ të dhënat nga pajisjet e identifikimit elektronik dhe të dhënat e kryqëzuara të pajisjes së identifikimit elektronik dhe listës së zgjedhësve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat