Arrestohet autori i grabitjes sot në Vlorë, ku me anë të një arme vodhi në një argjendari një çantë me florinj dhe më pas u largua. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:05 në bulevardin “Ismail Qemali, e cila u filmua e gjitha nga gazetari i ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’, Enrik Mehmeti.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se rreth orës 11:05, ka ardhur një telefonatë se në bulevardin “Ismail Qemali”, në argjendarinë në pronësi të shtetases me inicialet E. H., kishte hyrë një shtetas, i cili dyshohet se në kërcënimin e armës së gjahut, ka vjedhur një sasi bizhuterish dhe është larguar.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë e mundur që autori i dyshuar, shtetasi M. K., 18 vjeç, të kapej dhe prangosej nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Isa Boletini”.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale bizhuteritë e vjedhura dhe armën e gjahut me të cilën kërcënoi pronaren e argjendarisë.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.