Rama: Me PD nuk kemi asnjë vijë të kuqe për bashkëpunim

Shqipëria

Rama: Me PD nuk kemi asnjë vijë të kuqe për bashkëpunim

Më: 29 prill 2021 Në ora: 23:43
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të enjte në emisionin “Opinion” se nuk ka asnjë vijë të kuqe për bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ai u shpreh se fillimisht bashkëpunimi duhet të vendoset në frymë dhe pastaj nisen dhe ndërtohen parimet e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm.

Kryeministri u shpreh se vetëm me Partinë Demokratike mund të bashkëpunojë sa u përket partive opozitare pasi vetëm atë njeh si opozitë të vendit.

Pjesë nga biseda

Pyetje: Çfarë lloj bashkëpunimi keni pasur në mend ju me PD-në dhe këtë publikisht si e shihni bashkëpunimin me PD-në?

Edi Rama: Unë mendoj dhe besoj shumë fort se duhet të bëjmë një sforco të madhe të gjithë, komplet, por edhe ju, në radhë të parë unë si kryetar i PS-së dhe kryeministër për herë të tretë që ta çojmë debatin politik përtej pandemisë duke u munduar ta lehtësojmë nga e gjithë marrëzia që e karakterizon dhe mundësisht ta balancojmë pak energjinë që konsumohet çdo ditë në skenën e debatit politik për t’u marrë me njëri-tjetrin në kuptimin më banal të fjalës se me njëri-tjetrin do të merremi. Me konflikte me sherre, me ekstreme që nuk prodhojnë asgjë.

Pyetje: Atëherë cila është zgjidhja juaj për këtë? Ju nuk mund t’i thoni PD-së rri urtë se nuk dua të shqetësohem? Çfarë projekti keni dhe çfarë oferte keni?

Edi Rama: Nuk është ideja për ti thënë opozitës rri urtë, sepse opozitat që funksionojnë, sepse kjo opozitë deri më tani ka qenë disfunksionale. Nuk është për t’i thënë rri urtë, por për të hapur një kapitull të ri në politikën shqiptare.

Pyetje: Si? Në ç’formë?

Edi Rama: Me vullnetin e mirë të jo vetëm të kuptuarit teorikisht që nuk jemi armiq, por me vullnetin e mirë për të tejkaluar këtë fazë adoleshence të politikës shqiptare.

Pyetje: A ka një tentativë për ta ftuar në bashkëqeverisje opozitën?

Edi Rama: Çdo bashkëpunim dhe ndërveprim mes forcash politike fillon në radhë të parë në frymë.

Pyetje: Ngriheni ju me 74 mandate për t’i kërkuar PD-së pavarësisht e pranon ajo apo jo që të jetë pjesë e qeverisjes?

Edi Rama: Në qoftë se këtë frymë e ka dhe PD-ja mbi bazën e kësaj fryme palët diskutojnë. Ore ju doni përgjigje direkte. Hajde merre drejtimin e PD-së ti dhe hajde ulemi këtu dhe flasim konkretisht.

Pyetje: PD-ja thotë kam vullnetin e mirë të bashkëpunoj, cili është bashkëpunimi juaj?

Edi Rama: Nuk kam asnjë kufi fare.

Pyetje: Edhe bashkëqeverisje?

Edi Rama: Asnjë kufi. Nuk të jap përgjigje fare se nuk je ti kryetar i opozitës. Kur të bëhesh kryetar i opozitës flasim. Unë të sugjeroj që realisht ta konsiderosh këtë, nuk po bëj shaka.

Pyetje: Edhe bashkëqeverisje?

Edi Rama: Po të them që unë nuk kam kufi, fare.

Pyetje: Për shembull, ajo që thatë, një ribërje e zgjedhjeve lokale?

Rama: Tani do e diskutojmë këtu? Nuk kam asnjë tabu, zero.

Pyetje: Po vija të kuqe keni?

Edi Rama: Asnjë vijë të kuqe.

Pyetje: Jeni përballë opozitës shqiptare dhe thoni…

Edi Rama: Jo përballë opozitës shqiptare, përballë PD-së. Ka një dallim të madh.

Pyetje: Ftesa juaj është për PD-në?

Edi Rama: Unë di opozitë shqiptare PD-në. Nuk kam punë me asnjë tjetër. LSI-ja për mua i përket një kategorie tjetër nuk hyn për këtë që po flasim ne. Unë po flas për opozitën shqiptare.

Pyetje: Nëse PD-ja ju vjen me një letër, jeni të gatshëm t’ia plotësoni?

Edi Rama: Nuk është kjo. Vendoset njëherë në frymë kjo. Nëse është fryma jam dakord dhe pastaj ulemi, fillojmë ndërtojmë parimet e këtij bashkëpunimi, ndërveprimi.

Pyetje: Nuk keni më kushtin që duhet të ndahet nga Berisha dhe Meta?

Edi Rama: Meta është jashtë çdo lloji konfiguracioni dhe me Ilir Metën do merret parlamenti i Shqipërisë. Metën populli e dënoi dhe parlamenti do ta formalizojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat