Pedagogu i ekonomisë, Igli Tola iftura në studion e RTV Ora u shpreh se Shqipëria është vendi i parë në rajon me indeksin më negativ për pastrimin e parave, sipas indeksit të Bazelit të publikuar në vitin 2020.
Sipas Tolës, pastrimi i parave dhe zgjedhjet në pamje të parë duket se nuk kanë lidhje, por në qoftë se studion faktet atëherë vërehet se ekziston një lidhje.
"Investitorët e parave të pista janë njësoj me investitorët e tjerë. Ideja e tyre është përfitimi, ideja kryesore është që të investojë 500 mijë dhe të marr minimalisht 1 milionë euro më pas."
Tola: "Shqipëria është përmendur gjerësisht jo vetëm nga studimet vendase, por edhe nga raportet ndërkombëtare si një parajsë ose një vend që ka një tendencë të lartë për t'u përdorur nga invazorët ose persona të ndryshëm që duan të pastrojnë para të pista. Paratë e pista mund të vijnë nga krimi i organizuar, nga narkotikët por edhe nga aktivitete e korrupsionet në rangjet qeveritare.
Shqipëria, sipas raportit të fundit të publikuar nga indeksi i Bazelit në 2020, renditet vendi i parë në rajon me indeksin më negativ. Ne jemi një nga pikat e pastrimit të parave në Ballkan.
Si lidhet pastrimi i parave me zgjedhjet
Tola: "Duket se në pamje të parë këto çështje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por po t'i studiosh gjërat , shikon që ekziston një lidhje që mund të sjellë më pas edhe efektivitet.
Së pari, paratë e pista që vijnë në Shqipëri janë kryesisht ose nga narkotrafika ose nga korrupsioni dhe këto duan më pas të prodhojnë mandate deputetësh.
Këtë gjë nuk e bëjnë duke u injektuar drejtpërdrejt në ekonomi, por përmes formave të kamufluara.
Bëhet përmes pagesave elektorale, të gjithë e kemi parë dhe është e faktuar.
A është kthyer në një treg të zi kjo çështja e votës ?
Tola: "Absolutisht. Po të marrim një vlerë mesatare që pothuajse përmendet nga të gjitha palët dhe duket se nuk po kundërshtohet askush është një çmim që varion te 50-100 euro.
Nuk mjafton me kaq sepse për të pasur një mandat elektoral duhet të organizosh edhe fushatën.
Një deputeti i duhen 6 mijë deri në 10 mijë vota që të thyejë herësin, po të bëjmë një llogari të thjeshtë me një çmim prej 50 euro për të blerë një mandat deputeti, një force politike i nevojiten 500 mijë euro.
Investitorët e parave të pista janë me investitorët e tjerë. Ideja e tyre është përfitimi, ideja kryesore është që të investojë 500 mijë dhe të marr minimalisht 1 milionë euro më pas.
Dhe pastaj fillon rrethi vicioz i korrupsionit, sepse ne e dimë sa është paga e çdo deputeti, e çdo ligjvënësi dhe këto para nuk përfitohen as për 1 vit, as për 4 vjet dhe as për 10 vjet."
A e vështirëson informaliteti hetimin në këtë pjesë?
Tola: "Vështirësia më e madhe më të cilën haset sistemi gjyqësor në lidhje me pastrimin e parave është mos-bashkëpunimi nëpërmjet hallkave të ndryshme. Sado mirë të funksionojë sistemi gjyqësor megjithë hallkat e tij, nëse nuk ka një bashkëpunim me komunitetin, me policinë dhe me të gjitha strukturat e tjera qeveritare kjo bëhet e pamundur.
Duke pasur bashkëpunim dhe duke ngritur një rrjet komunikimi mundësia që të parandalohet dhe luftohet pastrimi i parave është më e madhe."
Personat që "priren të bëjnë" një investim në zgjedhje kanë synime të tjera, mund të kërkojnë një tende ndonëse nuk e meritojnë, një favor tjetër të karakterit ekonomik. Çfarë sjellin këto në terma afatgjatë, sa e dëmtojnë interesin publik edhe në sensin e investimeve?
Tola: "Çdo investitor edhe nëse vjen nga aktiviteti kriminal që bën një investim në politikë, normalisht do që të ketë nga pas një kthim të investimit. Ky kthim investimi normalisht nuk mund të realizohet nëpërmjet procedurave normale, por kjo bëhet duke rritur influencën. Këto grupe mund të kenë arritur që të kenë një sukses në sektorin që operojnë deri tani, krimin e organizuar, narkotrafikën apo çfarëdolloj sektori tjetër dhe në këtë moment ata ndihen të plotësuar aty dhe duan të shtojnë influencën edhe në politikë që më pas në rastin më ekstrem të mos cenohen nga politika.
Politika në Shqipëri është një mundësi shumë e mirë pasurimi në opinionin publik."
Ka shpeshherë sinjalizimi për tendera pa garë ose garë fiktive, skualifikim konkurrentësh. Sa efektive i sheh hetimet?
Tola: "Publikimet e fundit nga "Open Data" tregonin që një pjesë e madhe e tenderave të zhvilluar muajt e fundit ishin ose pa garë ose duke arritur kufirin maksimal të fondit limit. Nuk mund të shpallet fituese kompania e cila ofron vlerën më të lartë."