(E plotësuar 13:26) - Policia e Elbasanit ka dalë me njoftimin zyrtar për vrasjen e Liljana Buzos nga bashkëshorti i saj Koco Buzo.
Sipas policisë, krimi ka ndodhur rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, 58 vjeçar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, 54 vjeçares, Liljana Buzom e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
“Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes
***
Tre persona të plagosur me armë zjarri.
Ky është bilanci i një ngjarje të rëndë, të regjistruar sot para Gjykatës së Elbasanit.
Media mëson se autor i ngjarjes është Koço Buzo, i cili ka plagosur me pistolete gruan e tij, dyshohet një avokat si dhe një person tjetër, i cili raportohet se është kalimtar.
Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes.
Blute e Elbasanit kanë shkuar menjëherë në zonën ku ndodhi plagosja dhe po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.