Edhe pse rrezikon të arratiset në vendet e rajonit, një biznesmen i shumëkërkuar nga Turqia për mashtrim, mendohet se ndodhet ende në Shqipëri, nën patronazhin e mafies. Ai dyshohet se u ka vjedhur klientëve të tij mbi 100 milionë dollarë.
Bashkëpunëtorë dhe pjesëtarë të mafies dyshohet se po e strehojnë ende në Shqipëri biznesmenin turk, Faruk Fatih Ozer, i arratisur nga Turqia me 108 milionë dollarë të klientëve.
Mediet turke publikuan foto të shumëkërkuarit të marra nga një hotel në Tiranë.
27-vjeçari paraqitet duke bërë bërë prenotimin i shoqëruar nga një shtetas shqiptar i veshur me të kuqe që hetuesit thonë se e ndihmoi edhe kur ai mbërriti në aeroportin e Rinasit më 20 prill.
Shqiptari është pyetur nga policia e kryeqytetit, por Ozeri vetë nuk po gjendet, mendohet se po e shmang përdorimin e mjeteve të telekomunikimit dhe ka njerëz të paguar që e udhëzojnë ku të lëvizë dhe me kë të takohet.
Operacionet për kapjen e tij po koordinohen me policinë shqiptare dhe atë turke.
Faruk Fatih Ozer drejton kompaninë "Thodex", e cila menaxhon monedhat elektronike, si Bitcoin-i.
Rreth 400 mijë klientë raportohet të jenë mashtruar nga 27-vjeçari, i cili u ka përvetësuar të gjitha fondet prej 2 miliardë dollarë.
Autoritetet turke kanë shoqëruar 80 persona në vend, dhe nën arrest janë motra dhe vëllai i Ozerit.
Vetë i shumëkërkuari është listuar edhe nga Interpoli si person në arratisje.