Divorcet po shndërrohen në normalitet në Shqipëri. Nga viti në vit, ashtu siç tregojnë dhe shifrat nga gjykata, vjen ne rritje numri i padive për zgjidhje të martesave.
Sipas avokates,Vjollca Pustina, arsyeja kryesore mbetet ekonomia e dobët e familjeve, e cila shkakton konflikt mes çifteve.
"Kërkesat e padisë për zgjidhje martese në gjykatën e Tiranës nga viti në vit kanë pësuar rritje.Ka edhe kërkesa të mbartura nga viti i kaluar por që statistikat tregojnë se ka shumë depozitime kërkesash për zgjidhje martese. Gjithmonë viktimë e zgjidhjeve të martesës janë fëmijët."
Në shumë raste, këto konflikte vijojnë edhe pas ndarjes me gjyq, duke u mbyllur edhe me viktima siç ishte ngjarja me e fundit ne Elbasan, ku burri vrau ish-bashkëshorten para gjykatës.
"Kur shkojnë dy njerëz në gjykatë për tu divorcuar detyrimisht mund të kenë dhe konflikte. Ka familjarë që e zgjidhin me marrëveshje, ka familjarë që kanë edhe konflikte, të cilat mbarten edhe pas zgjidhjes së martesës."
Vetëm nga viti i kaluar kanë mbetur për shqyrtim 1226 padi.
"Gjykatat në zgjidhjet e martesave bëjnë disa seanca, seanca e pajtimit, seanca ku psikologia merret me fëmijët."
Në 5 muajt e parë të këtij viti në gjykatë janë dorëzuar 421 padi të reja për zgjidhje martese, prej të cilave janë pranuar për gjykim 173.