Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme e KAS, ku u shqyrtuan kërkesat ankimore të PD dhe LSI për rezultatin e zgjedhjeve në Berat.
Debati është bërë mes përfaqësuesit ligjor të PD, Marash Logu, dhe anëtarit të KAS, Ilir Rusmali.
Ky i fundit ka kërkuar të paraqiten provat për blerje votash në zgjedhje, por Logu i është kthyer me pyetjen se pse KAS nuk i merr këto prova nga prokuroritë.
Pjesë nga debati:
Marash Logu: PD mendon që është shumë e qartë në qëndrimet e saj.
Ilir Rusmali: Mund të na thoni në rrethin e provave që keni për sa raste bëhet fjalë për blerje votash?
Marash Logu: Për të gjitha rastet të shitblerjes së votës kemi depozituar kallëzime penale. Ne kemi denoncuar raste të shumta të blerjes së votave.
Ilir Rusmali: Përgjigjja juaj është raste të shumta, e kam të qartë.
Marash Logu: Kjo është arsyeja që ne i sjellim këto kallëzime që i kemi depozituar që në datën 7 prill. SPAK me siguri ka kryer hetime dhe ne ju kërkojmë vazhdimisht ju që merrni informacion nga prokuroritë. Cila është arsyeja që ju refuzoni të merrni prova nga SPAK?
Ilir Rusmali: Këtë nuk e dini ju.
Marash Logu: Kallëzimi i rremë është vepër penale. Nuk bëjmë ne kallëzime të rrema. Pse refuzoni të merrni prova nga prokuroria?
Ilir Rusmali: Refuzimin dhe pranimin e merr nga trupa. Ke dhënë dy përgjigje. Për mua janë të dyja të mjaftueshme.
Marash Logu: Për 22 rastet që kemi folur, kemi depozituar ato prova që kemi pasur në dispozicion. Kjo është bërë për të lehtësuar punën e KQZ. Ne kemi kërkuar që të merren informacione zyrtare nga institucioni shtetëror. Kuantifikimi që ju kërkoni mund të dalë nëse ju pranoni të administroni prova nga PD.