Stërvitja “Defender 2021” është zhvilluar këtë të shtunë në gjirin e Dukatit ku polumbarë shqiptarë dhe amerikanë janë zhytur në zonën ku është mbytur anija “Po” në Luftën e Dytë Botërore.
Defender Europe 2021 u zhvendos këtë të shtunë në gjirin e Dukatit. Polumbarët shqiptarë dhe amerikan bënë zhytje në thellësinë e tabanit detar ku ndodhet një anije e mbytur që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka publikuar pamjet e stërvitjes duke shpjeguar se polumbarët janë zhytur në zonën ku anija spitalore “Po” e mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore, e goditur nga ushtria britanike.
“Bashi (pjesa e përparme e anijes) ndodhet në 16 metra thellësi, ndërsa kiçi (pjesa e pasme) në 37 metra thellësi”, shkruan ministri Peleshi.
Roli i Shqipërisë në stërvitjen e këtij viti "Defender 21" është tepër i rëndësishëm për trupat ushtarake amerikane dhe aleatët e NATO-s.
Që pas Luftës së Dytë Botërore kjo është hera e parë që brigjet shqiptare shfrytëzohen për stërvitje me qëllim zhvillimin e aftësive të trupave aleate për zbarkimin në det.