Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dhënë disa vendime për mbrojtjen e prokurorëve, të cilët janë ndjerë të kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Nuk janë pak, por 21 vendime për mbrojtjen prokurorësh, e që jepen ndërmjet raportit vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë të depozituar në Parlament.
“Në veprimtarinë e Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve, rezulton se gjatë vitit 2020 janë realizuar 30 mbledhje përgatitore duke trajtuar çdo rast kërkese për dhënien e mbrojtjes së veçantë fizike të paraqitur në KLP nga ana e prokurorëve apo drejtuesit të prokurorive të ndryshme dhe në përfundim të tyre janë marrë 21 vendime për mbrojtjen e prokurorëve të ndryshëm apo drejtuesit e prokurorive të cilët kanë kërkuar mbrojtje”, thuhet në këtë raport të siguruar nga Gazeta “Shqip”.
Gjithashtu, janë trajtuar me dhënien e mbrojtjes së veçantë fizike 12 prokurorë. Komisioni është mbledhur dhe ka funksionuar në rastet kur ka pasur kërkesë nga prokurorë ose drejtues të prokurorive për dhënie mbrojtje të veçantë fizike.
KLP, duke mos i dhënë me emra konkret, bën të ditur se është vepruar me iniciativë në rastet e bëra publike në media, duke marrë kontakt me prokurorë të ndryshëm apo drejtues të prokurorive në të gjitha prokuroritë e vendit.
Komisioni ka marrë vendime për dhënie mbrojtje të veçantë fizike si në rastet e prokurorëve në detyrë, ashtu sikurse për prokurorët pas largimit nga detyra, sikurse parashikohet në ligj. Vendimet e Komisionit për dhënien e mbrojtjes së veçantë fizike të prokurorëve kanë qenë me afat kohor 3-mujor, 6-mujor dhe 1-vjeçar.
“Gjatë vitit 2020, Komisioni nuk ka refuzuar asnjë kërkesë për mbrojtje të veçantë, të ardhur pranë tij. Veprimtaria e këtij Komisioni për vitin 2020 është zhvilluar kryesisht në platformën online, ndërsa nënshkrimi i vendimeve është kryer individualisht nga secili prej anëtarëve”, thuhet në këtë raport.