SHBA shpall "non grata" Berishën, Nurellari: Ky është një akt i rëndë, e shoh edhe si mesazh ndaj Bashës dhe qeverisë

Shqipëria

SHBA shpall "non grata" Berishën, Nurellari: Ky është një akt i rëndë, e shoh edhe si mesazh ndaj Bashës dhe qeverisë

Më: 19 maj 2021 Në ora: 22:46
Ardi Nurellari

Politologu Ardi Nurellari i ftuar në studion e RTV Ora e ka cilësuar shpalljen "non grata" të ish-kryeministrit Sali Berisha nga SHBA si një akt të rëndë.

Nurellari shprehet se rasti i parë i një zyrtari të huaj që i është ndaluar hyrja në SHBA është e nëj shqiptari.

Me çfarë lidhet ky vendim i papritur i SHBA dhe pse pikërisht tani?

Nurellari:" Çështja e ndryshimit të kufijve të Kosovës është çështje e kaluar, ajo është para dy viteve, kështu që nuk besoj se është relevante tani. Ky akt lidhet për të  marrë masa për adresimin e korrupsionit global. Historia lidhet ngushtë  me një zyrtar të Rusisë, i cili u përpoq të zbardhte një  skenë të madhe korrupsioni në Rusi dhe shteti dhe zyrtarët e lartë e arrestuan në mënyrë të padrejtë me akuza të rreme.

Hapi i parë që u mor për këtë akt ka qenë vendosja e ndalimit të qarkullimit për zyrtarët që ishin të përshirë në çështje. Më tej kaloi një hap më tutje dhe u vendos një akt global që nuk përfshinte vetëm rastin e përfshirë në ngjarje por edhe zyrtarë të tjerë në shtete të tjera.

Rasti i parë të një zyrtari të huaj që i është bërë ndalimi për të hyrë në SHBA në formë ndëshkimi është Adriatik Llalla. Në historinë e Amerikës rasti i parë është fatkeqësisht një shqiptar."

Nurellari e cilëson këtë si një akt të rëndë për fakton që zoti Berisha është një nga figurat më dominuese të politikë shqiptare dhe SHBA është një partner shumë i fuqishëm për shtetin tonë.

Nurellari: "Ky është një akt shumë i rëndë. Së pari sepse zyrtarët e tjerë të përmendur në listë nuk kanë pasur poste kaq të larta. Së dyti ka të bëjë me faktin se lidhet me një njeri që është një nga figurat kryesore dominuese të jetës politike të vendit. Së treti ka të bëjë me faktin që SHBA janë një partner shumë i fuqishëm dhe i rëndësishëm për shtetin tonë."

Shpallja "non grata" e zotit Berisha shihet si një mesazh i shumëfishtë nga Nurellari, për të gjithë personat që janë pjesë e jetës politike të vendit.

Nurellari: "Ky është një mesazh i shumëfishtë, ose të paktën çdokush që është në jetën politike të vendit duhet ta marrë këtë mesazh. Së dyti është një masazh mendoj edhe ndaj liderit Basha për t'u distancuar nga qasja e vjetër e politikës që nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve. E shikoj edhe si mesazh ndaj qeverisë sepse kjo është një tërheqje veshi për hezitimin dhe zvarritjen e SPAK.

Mendoj se është një mesazh edhe për politikanët e tjerë të Ballkanit."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat