Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka komentuar shkurt vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, që e shpall “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.
Para nisjes së seancës parlamentare, Manja u tha gazetarëve: “Çdo politikan në Shqipëri, në një demokraci parlamentare është përgjegjës për veprimet e veta. Ky është komenti që kam”.
VENDIMI I DASH
Kujtojmë që një ditë më parë, DASh shpalli të padëshiruar Sali Berishën dhe familjen e tij.
Sipas deklaratës së publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, Sali Berisha ka qenë i përfshirë në korrupsion gjatë kohës që ka drejtuar vendin si Kryeministër i Shqipërisë.
“Sot, po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë, si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetjake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë”, thuhet në deklaratën e DASH.