Analisti dhe gazetari Aleksandër Çipa, e ka konsideruar një precedent unik në marrëdhënien e Shqipërisë me SHBA-në, shpallja ”non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Ngjarje të tilla nuk e përjashtojnë asnjëherë kontekstin dhe krijojnë një kontekst i cili lidhet me situatën politike. Ajo që është tronditëse dhe mund të konsiderohet si një moment që ngjall dilema është masa e bashkëshoqëruar me një akuzë të rëndë, sepse përbën një precedent unik në marrëdhënien e Shqipërisë me SHBA-në. Ajo që mendoj unë, nuk ka të bëjë vetëm me fatin e politikanit Berisha, por është pazgjithshmërisht me trashëgiminë politike të tij.
Ka të bëjë edhe me një raport të ri që ndërtohet midis ndërgjegjies ekzistuese politike të shoqërisë dhe marrëdhënies juridike të shoqërisë, një marrëdhënie e cila ka qenë defektoze.
Në planin logjik nuk përjashtohet ky version, por në planin institucional druhem të shprehem. SHBA në raport me drejtësinë e Shqipërisë kanë një marrëdhënie më të posaçme. Përmes gjuhës diplomatike dhe shpesh edhe me nëntekste politike të ambasadores ata janë shprehur se do të godasin peshqit e mëdhenj dhe për rrjedhojë po sot ambasadorja është shprehur se tani fillojnë çështjet më të vështira”, u shpreh Çipa.