Një 55-vjeçar i akuzuar për ngacmim seksual të një 13-vjeçareje, ka mbërritur mesditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat, për t’u njohur me masën e arrestit ndaj tij.
News24, bën me dije se ka qenë prokurori Dritan Gripshi ai që i ka kërkuar gjyqtares Klejda Çapja vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të Çelës dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” me afat 20-ditë, afat që sipas prokurorit është i mjaftueshëm për të grumbulluar provat e nevojshme, për pyetjen e dëshmitarëve të ngjarjes, ballafaqimet midis palëve dhe për të kryer edhe ekzaminimin mjekësor të 13-vjeçares.
Mësohet se 55-vjeçari A. Çela nuk e ka pranuar akuzën.
Ai ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk e ka prekur asnjëherë vajzën dhe se këto akuza të turpshme janë shpifje dhe trrillime të familjarëve të saj, me të cilët është prej disa vitesh në konflikt të hapur për pronësinë e një toke.