Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku mëngjesin e sotëm u gjet një person i pajetë në lagjen “Visarion Xhuvani”.
Raportohet se në trupin e 50-vjeçarit, ende i paidentifikuar janë vënë re goditje në majë të kokës, damarët e të dyja duarve të prera si dhe gjunjët me gërvishtje. Po ashtu, viktima është gjetur pa këpucë dhe zbathur.
Mësohet se pranë trupit të viktimës nuk është gjetur ndonjë thikë, e cila mund të hidhte dyshime për vetëvrasje. Në vendngjarje nuk janë gjetur njolla gjaku çka dyshohet se viktima rreth 50-vjeç pasi është vrarë është hedhur në rrugën ku u gjet.
Trupi i pajetë është transportuar për në morg ku po i nënshtrohet ekzaminimeve të thelluara. Ngjarja e rëndë u raportua në lagjen “Visarion Xhuvani”, por dyshohet se viktima nuk banonte aty, por në një lagje tjetër të Elbasanit. Identiteti i tij nuk është zbuluar ende.