Në sheshin “Skënderbej” ka nisur një marshim protestë për fëmijët e abuzuar seksualisht. Protesta e nxitur nga shoqëria civile, pak ditë pas abuzimit të rëndë të një 15-vjeçareje nga disa persona në Mirditë, ka sjellë mesazhe të forta.
Qindra qytetarë, pjesa më e madhe vajza, aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar kundër abuzimit ndaj fëmijëve. Ndër to një qytetare u pa të protestojë tërësisht e zhveshur.
“Mos ma vrit fëmijërinë, eduko djalin”; “Ne jemi me ty”; “Ti s’je vetëm” e parulla të tjera të ngjashme janë ngritur në protestë nga pjesëmarrësit.
Me daulle e thirrje, marshimi ka vijuar për disa metra, për t’i thënë jo dhunës.


