Një debat i fortë ka ndodhur sonte në “Open” mes analistit Fitim Zekthi dhe sekretarit të PS-së për mediat, Alfred Peza.
Zekthi tha se jo domosdoshmërisht SHBA duhet të ketë gjithnjë të drejtë vetëm se është më e fortë, duke e gjykuar si jo të duhur vendimin e DASH.
Pas një ndërhyrje të Pezës, Zekthi tha se gjithnjë ka qenë i drejtpërdrejt, jo si panelisti tjetër (Alfred Peza) të cilin e quajti servil. Ky i fundit i kërkoi analistit të mos e etiketonte duke i vënë në dukje qendrimet e tij anti-amerikane.
Zekthi: Unë nuk jam askush të kritikoj SHBA, por mendimin tim do e jap. Pse vjen ky vendim tani për Berishën kur ka 8 vite pa pushtet. Nuk mendoj që Berisha mishëron korrupsionin në Shqipëri. Ka të tjerë para Berishës që meritojnë të shpallen “non-grata”. Unë i them gjërat troç në sy se jam dhe kam qenë gjithmonë njeri i pastër dhe i ndershëm. Jo si Peza këtu që nuk ka guxim t’i thotë gjërat troç.
Peza: Trego të vërtetën tënde na lër ne…
Zekthi: Unë s’kam qenë as komunist asgjë as servil nuk kam qenë ndonjëherë.
Peza: Shumë mirë trego të vërtetën tënde na lërë ne mos u merr me ne vazhdo me të drejtën tënde anti-amerikane.
Zekthi: Unë mendoj që është vendim i padrejtë. Nuk mendoj se SHBA meqënëse është më e fortë ka më shumë të drejtë. Këta kanë qenë komunistë, me Kinën.
Peza: Ore mos përmend emra.
Zekthi: Nuk e kam me ty.
Peza: Mos mu drejto mua drejtoju kamerës andej.