Me një vendim të pritshëm, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve nuk e ka pranuar kërkesën e PD për të kërkuar 19 prova shtesë nga institucionet, që sipas demokratëve do të dëshmonin blerjen e votës nga socialistët në Tiranë.
Të njëjtin fat ka patur edhe ankimimi i kandidatit të Vetëvendosjes, Boiken Abazi, për të administruar kamerat në shkollën “Arben Broci” në kryeqytet.
Por dy anëtarët e KAS-it i kërkuan KQZ të dhënat e kryqëzuara për Tiranën për të parë nëse ka patur rastet të dyshuara apo parregullësi me pajisjen PEI.
"KAS vendosi të rrëzojë me shumicë votash kërkesën e subjektit zgjedhor PD-Aleanca për Ndryshim për kërkimin e 19 provave shtesë. Të rrëzojë kërkesën e zotit Boiken Abazi për të kryer ekspertizë në lidhje me një sërë fletësh votimi. Të rrëzojë me shumicë votash kërkesën për administrimin e kamerave në korridoret e shkollës "Arben Broci".
Përfaqësuesi i PD-së akuzoi dretjuesin politik të Tiranës, Erion Veliaj, se në bashkëpunim me kandidatët dhe administratorët e institucioneve shtetërore kanë blerë votën e qytetarëve.
"Veçanërisht në qarkun e Tiranës në lidhje me blerjen e votave nëpërmjet bashkëpunimit të drejtuesve të lartë politik të Partisë Socialiste me individë me rekorde të tmerrshme kriminale."
Sipas raportit për të dhënat e kryqëzuara, në Durrës janë identifikuar 38 shenja gishtërinjsh në 79 raste, ndërsa përsa i përket kryeqendrës së veriut 13 persona identifikohen në 34 rastet të dyshimta.