Gjykata e Beratit vendosi të mbajë në burg dy autorët e arrestuar për atentatin me armë zjarri në fshatin Poshnje të Dimalit, ku mbeti i plagosur 33-vjeçari, Iljaz Ismaili.
Adriatik Shabanaj dhe Aurel Filaj mbërritën në gjykatë nën masa të forta sigurie, ndërsa seanca për masën e sigurisë u zhvilua me dyer të mbyllura.
Para gjyqtares, Klejda Çapja, ata nuk e kanë pranuar autorësinë e krimit dhe bashkëpunimin në atentat, duke kërkuar lirimin e tyre.
Shabanaj dhe Filaj mësohet se u vetëdeklaruan të pafajshëm, duke deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt 33-vjeçarin, Iljaz Ismaili.
Por prokurori, Ledion Tema, ka sjellë në Gjykatë prova të pakundërshtueshme, përfshi këtu edhe pamjet filmike të atentatit, mbi bazën e të cilave vërtetoi autorësinë e atentatit.
Ngjarja u shënua mbrëmjen e së premtes (21 maj) në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Poshnje në Dimal, lokal që ishte në pronësi të dajës së 33-vjeçarit të plagosur, Iljaz Ismaili, i cili ishte kthyer prej disa ditësh nga Anglia.
Sipas hetimit Adriatik Shabanaj dhe Aurel Filaj sulmuan me pistoletë të riun, duke i shkaktuar dy plagë, për të cilat u trajtua në spital.
Ata u larguan nga vendngjarja, por u identifikuan dhe u arrestuan nga Policia e Beratit që ka shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë si bashkëpunëtorë në atentatin ndaj 33 vjeçarit.