Ilir Meta do të shkarkohet nga posti Presidentit ditët para të muajt qershor 2021, me akuzën kryesore të cenimit të rëndë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi i pritshëm i Kuvendit ka marrë miratimin e SHBA-BE.
Pas këtij vendimi, e gjithë vëmendja do të zhvendoset në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse Ilir Meta do të shkarkohet dhe dorëzohet pa imunitet në SPAK apo do të vijojë të qëndrojë President deri në vitin 2022.
Vota vendimtare është ajo e Vitore Tushës, e vetmja në radhët e gjyqtarëve të emëruar nga Sali Berisha që ka arritur ta kalojë Vetingun. Deri tani besohet se Meta dhe Berisha kanë siguruar dy vota në Gjykatën Kushtetuese, atë të Marsida Xhaferllarit dhe Sonila Bejtjas. Dihet tashmë se kjo dyshe është derivat i dyshes Berisha-Meta. Dihen lidhjet e shumëfishta dhe fakti pse dyshja është emëruar nga Meta dhe Berisha.
Por, Xhaferllari dhe Bejtja nuk mjaftojnë për të shpëtuar Ilir Metën. Nëse Vitore Tusha do të bashkohet me amerikanët, bëhen 5 vota kundra Ilir Metës dhe ky i fundit shkarkohet. Nëse Vitore Tusha do bashkohet me dyshen Berisha-Meta, Ilir Meta shpëton. Nga njëra anë Vitore Tusha është emëruar nga Berisha në Gjykatën Kushtetuese në mars të vitit 2008.
Dhe për këtë ndoshta ajo i detyrohet Berishës për të shpëtuar aleatin e tij në luftën kundër SHBA dhe reformës në Drejtësi. Gjithashtu, Ilir Meta e propozoi Vitore Tushën për kryetare të KLSH, për ta afruar sa më shumë dhe për të siguruar votën e saj në momente të vështira.
Nga ana tjetër, Vitore Tusha ka nisur të fitojë besimin e përfaqësuesve të SHBA. Ambasadorë të Perëndimit hyjnë dhe dalin nga zyra e saj. Nëse Tusha bashkohet me Metën dhe Berishën, do të zhgënjente SHBA-BE dhe karriera e saj do damkosej. Nëse do të bashkohet me SHBA-BE, Ilir Meta dhe Sali Berisha do të nisin një sulm ndaj saj siç bënë me Ardian Dvoranin.
Megjithatë, Vitore Tusha ka dhënë disa sinjale shqetësuese për Ilir Metën dhe Sali Berishën.
Së pari, kur Ilir Meta dhe Sali Berisha arritën që të shkarkonin Ardian Dvoranin përmes KLGJ-së si kryetar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe anëtarë të Gjykatës së Lartë, Vitore Tusha i bëri një letër Dvoranit, duke e ftuar të merrte pjesë në KED, pasi sipas saj, ai vijonte të ishte anëtar i KED.
Ilir Meta u tërbua dhe reagoi ashpër ndaj Vitore Tushës në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me anë të përfaqësuesit të tij, Bledar Dervishaj, por edhe Berisha përmes Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, e cila njihet si avokate e vjehrrit të Lulzim Bashës. Ky ishte momenti kur ambasadorja amerikane Yuri Kim paralajmëroi Ilir Metën të mos bënte më zhurmë për çështjen e Dvoranit, pasi SHBA kishin një dosje të llahtarshme për veprimtarinë e tij të zezë.
Në kushtet kur Meta vijoi sulmet ndaj Dvoranit dhe presionet ndaj Vitore Tushës, SHBA e shpalli Dvoranin në listën e 12 kampionëve të luftës kundër korrupsionit në botë, pasi në vitin 2012 ishte i vetmi që refuzoi urdhrin e Berishës dhe votoi për dënimin e Ilir Metës me dy vite për korrupsion. Nga ana tjetër, Vitore Tusha zhvilloi një takim me ambasadoren amerikane në Tiranë, duke dhënë një mesazh të qartë Metës dhe Berishës.
Pas takimit, Yuri Kim shkroi: “Unë u takova me gjyqtaren Tusha për ta falënderuar atë për udhëheqjen e KED, që mundësoi funksionin e Gjykatës Kushtetuese. Tusha ka përgjegjësinë të drejtojë Gjykatën Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme. SHBA-ja do të vazhdojë me mbështetjen e saj në mënyrë që Reforma në Drejtësi të japë rezultate”.
Krahas takimit me Yuri Kim, Tusha ka vijuar takimet me ambasadorë të Perëndimit pas nisjes së procedurave të Kuvendit për të shkuar Ilir Metën.
Mesazhin më përvëlues Ilir Meta e ka marrë disa ditë më parë, kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e financave të qeverisjes vendore. Votat u ndanë 5 me 2. Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari u rreshtuan me Metën dhe Berishën, ndërsa Vitore Tusha kundra.
Meta sulmoi pesë anëtarët që votuan kundra tij, duke i dhënë një mesazh Vitore Tushës, shkruan Pamfleti. Më tej, Vitore Tusha i ka dhënë edhe një mesazh të fundit Ilir Metës. Tusha votoi kundër një kërkese të një partie politike për të shfuqizuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat ishte anulluar nga Ilir Meta me dekret, duke shpallur një datë tjetër, të cilën nuk e njohën SHBA-BE, por as Lulzim Basha.