Në pritje të mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, burime për Euronews Albania konfirmojnë se do të hiqet orari i kufizimit muzikor në kuadër të lehtësimit të masave anti-COVID.
Burime për Euronews konfirmojnë se do të ndryshojë edhe masa e pezullimit të lejes së drejtimit për ata që do të lëvizin jashtë orarit policor, nga 3 vjet në 30 ditë.
Ndërkohë kjo masë do të ketë edhe efekt prapaveprues pasi atyre që u është pezulluar patenta për lëvizje pas kufizimit te orarit, do t’i kthehet nëse kanë kaluar 30 ditë nga marrja e masës.
Lehtësimi i masave nga komiteti Teknik i Ekspertëve u paralajmërua dje nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Zyrtarisht vendimi për masat e reja pritet të merret nesër kur edhe do të mbahet mbledhja e Komitetit.
Javët e fundit, Shqipëria ka pasur një ulje të konsiderueshme të infektimeve të reja nga COVID-19. Gjatë dy ditëve të fundit janë zbuluar vetëm 20 raste të reja, ndërsa rastet aktive kanë zbritur në më pak se një mijë.
Që prej fillimit të pandemisë, vendi ynë ka pasur mbi 132 mijë raste pozitive në total prej të cilëve 2 447 persona humbën jetën për shkak të coronavirus.