Shqipëria nuk regjistroi sot asnjë të vdekur nga koronavirusi, ndërkohë që edhe rastet e reja të infeksioneve ditore po shkojnë drejt zeros. Nesër pritet një lehtësim i masave nga Komiteti Teknik, ndërsa mjekë të njohur në vend kanë kërkuar heqjen e maskave në ambientet e jashtme si dhe heqjen e orës policore.
Por mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg tha për A2 se do ishte një gabim fatal nëse Shqipëria e merr vendim për heqjen e maskave. Si rast rreziku në rast të një vendimi të tillë, ajo sjell shembullin e Indisë.
“Fakti që shifrat janë pozitive nuk do të thotë asgjë. Ne e kemi thyer valën e tretë që e kishim shumë frikë. Pjesa më e madhe e vendeve europiane po tregojnë një incidencë të ulët. Por nëse do të kemi një tendencë si në Indi, aty ku, si pasojë e festimeve dhe e dëshirës për t’u afruar me njëri-tjetrin, u hoqën maskat dhe masat, u pa se mutacionet e reja… vala e tretë arriti në shifra katastrofike. Unë jam shumë dakord që ta motivojmë popullatën, por jemi në prag të verës dhe gjithçka do të jetë më e qetë nga arritja e normalitetit. Si eksperte e fushës, unë e quaj gabim fatal nëse do të hiqnim maskat dhe nuk do të ruanim distancën sociale. Vaksina nuk është e vetmja mbrojtje. E dimë shumë mirë që ai që vaksinohet nuk infektohet më, por ai është mbartës, transmetues i infeksionit. Nuk duhet të jemi shumë të nxituar dhe të marrim masa që asnjë vend në Europë nuk po i nxiton”, u shpreh Aurora Dollenberg.