Operatorja turistike Tatyana Bajraktari, e cila punon me turistë ukrainas të cilët vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik, por edhe në dimër, dha në “Ilva Now” informacione mbi shumën që turistët ukrainas shpenzojnë në bazë javore.
Ajo tha se një çift vizitorësh mund të shpenzojë rreth 800 euro në javë, pa përfshirë shpenzimet për të vizituar monumente kulturore, për t’u argëtuar apo për blerje.
“Paketa që shitet në Ukrainë, fillon me 800 euro për dy persona por ne nuk propozojmë vetëm akomodimin në hotel me të gjitha të përfshira por edhe apartamente që mund të marri pa përshirë ushqimin”, u shpreh znj. Bajraktari.
Sipas znj. Bajraktari, një familje mund të shpenzojë rreth 300-400 më tepër nëse shkon nëpër ekskursione.
Matilda Naço nga Shoqata Shqiptare e Turizmit tha nga ana tjetër një turist i huaj mund të shpenzojë rreth 390 dollarë në javë, gjë që përkon në një farl mase me shumën 800 euro për dy veta.
Tatyana Bajraktari foli edhe mbi preferencat e turistëve të huaj në Shqipëri, ku përveç plazhit, vizitorët e huaj pëlqejnë të udhëtojnë nëpër vend dhe të blejnë suvenire apo pije tradicionale shqiptare.
“Një – dy ditë turistët bëjnë plazh, mirëpo preferojnë të shikojnë edhe vendet, shpenzojnë për të parë, për të blerë punime artizanale, suveniret në Krujë, pije, verë”, tha operatorja turistike.
Tatyana Bajraktari tha se shumë turistë ukrainas rikthehen në Shqipëri dhe se numri i vizitorëve nga Ukraina është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
“Në vitin 2015 ishte një avion në 10 ditë, ndërsa për këtë vit kemi 20 avionë në javë vetëm nga Ukraina, pra diku te 3600 turistë ukrainas në javë”, u shpreh znj. Bajraktari.