Tashmë Komisioni Hetimor Parlamentar për Presidentin ka përfunduar verdiktin e tij: Ilir Meta duhet të shkarkohet nga posti më i lartë i shtetit shqiptar.
Më 10 qershor është seanca në Kuvend, që sipas të gjitha gjasave do të votojë shkarkimin, e ky vendim do të duhet të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese menjëherë.
Institucioni që intepreton ligjin themeltar të shtetit, është i detyruar ta marrë menjëherë në shqyrtim vendimin e Parlamentit, e jo ta lërë në kalenda. Pasi kemi të bëjmë me një rast të jashtëzakonshëm impeachment-i, siç ka ndodhur edhe me Presidentët amerikanë.
I fundit precedent që ne njohim është i Presidentit Bill Clinton me rastin Levvinski, i cili me votë shumice nga Kongresi u dërgua për shkarkim, pasi sipas Kongresit Presidenti kishte gënjyer qytetarët për Monikën. Kishte thënë që s’kam pasur asnjë relacion me atë grua, por që doli që kishte pasur. Në fund Senati votoi 50 me 50, që është edhe institucioni që duhet të vendosë mbi shkarkimin, pra Clinton qëndroi në zyrë.
Meta sot është i akuzuar për një krim më të rëndë se një “gënjeshtër në publik”, për shkelje të Kushtetutës, nëpërmjet shbalancimit të postit të Presidentit dhe përdorim të postit për interesa politike e personale, deri duke shkatërruar boshtin e politikës strategjike të Shqipërisë me aleatët.
Nëse në rastin e ç’dekretimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, impeachment-i u shmang nga Komisioni i Venecias, pasi ishte mazhoranca që e dërgoi atje kërkesën, e juristët e Komisionit të Këshillit të Europës rekomanduan që Kuvendi ta toleronte Presidentin, kësaj radhe rruga duket më e shkurtër.
E para kemi të bëjmë me një precedent të përsëritur, Ilir Meta, ndryshe nga paralajmërimi, ku i erdhi ndihmë Venecia me kusht, pra: sillu mirë tani e tutje, bëri më keq. Ç’ka ka thyer kushtin e Venecias, e siç çdo dënim me kusht, thyerja e kushtit sjell penalizim të dyfishuar, por nga ana tjetër shkelja këtë radhë ka të bëjë me arsyen strategjike e delikate të boshtit të Shqipërisë si aleate e NATO-s.
Presidenti jo thjesht ka sulmuar, por ka fyer e akuzuar SHBA-në, ndërkohë që kjo e fundit ka të drejtë të kërkojë nga institucionet e Shqipërisë; a është ky mendim i shtetit shqiptar apo personalisht i Ilir Metës?
Nëse do të ishte qëndrim personal i Ilir Metës, ky i fundit nuk duhet të jetë njeriu i parë i Republikës, e nëse nuk largohet, atëherë qëndrimi i tij tolerohet. E nëse tolerohet, atëherë SHBA ka të drejtë të mos e cilësojë më Shqipërinë si një aleat të saj.
E kjo është e qartë, e siç duket kjo qartësi vjen nga ndërkombëtarët edhe para anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kësaj radhe duhet të ndajnë ‘shapin nga sheqeri’. Atyre nuk i kërkohet të vendosin për karrigen e Ilir Metës, por për t’i shpëtuar fytyrën shtetit shqiptar, që ja ka nxirë njeriu që mban postin e Presidentit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese 7 me 0 për rastin e Genc Cakajt, ku nuk i jepet fuqia Presidentit të vendosë pa dekret që të bllokojë një anëtar qeverie është një paradhomë e vendimit për shkarkimin e Ilir Metës.
Sipas të gjitha gjasave nuk do të kemi ndarje, por një verdikt juridik i të gjithë korpusit të Gjykatës Kushtetuese, që natyrisht do të shikojë thelbin e argumenteve të Parlamentit.
Qëndrimi i mbështetësve mediatikë të Ilir Metës sot, se SHBA ka kapur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, nuk është gjë tjetër veçse një sinjal i qartë për pritshmërinë e tyre dhe njeriut që ata përkrahin për një proces që tashmë po ecën si një operacion “Blitz”. Filloi me Sali Berishën nga Departamenti i Shtetit dhe tashmë nuk do të ndalet.
E pikërisht ky vrull e ka detyruar Ilir Metën që të shmangë idenë që të qëndrojë në zyrën e Presidentit me çdo kusht, por të hapë krahun, pasi nëse e bën rezistencën Parlamenti e zgjedh Presidentin e ri brenda natës, shkruan Pamfleti. Sipas të gjitha gjasave Ilir Meta, i cili shkarkohet nga Kuvendi më 10 qershor, maksimumi përpara shtatorit nuk është në Presidencë. Kohë e cila rastis edhe me nisjen e hapjeve të dosjeve të mëdha nga SPAK. Të cilat kanë mbërritur me avion special nga Uashingtoni…