Zv.ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, ka folur për situatën shëndetësore në vend, pas lehtësimit të masave kundër Covid-19.
Tomini tha se kishin shpresa që masat të lehtësoheshin edhe më shumë, por theksoi se duke vëzhguar me kujdes situatën, vendosën që lehtësimin ta bënin gradualisht.
“Shpresat dhe entuziazmi i përfshirë edhe i popullatës përkundrejt shifrave në trend zbritës bënë që pritshmëritë mund të ishin dhe më të mëdha. Komiteti e ka vëzhguar në mënyrë sistematike situatën dhe kjo situatë mund të vijojë duke respektuar masat, por edhe lehtësimi i tyre të bëhet gradualisht. Ky lehtësim e ka personifikuar ecurinë e masave të marra në vend. Masat merren duke vlerësuar indikatorët. Duhet lënë kohë, fushata po përvijon dhe ndërkohë grupmosha që frekuenton këto ambiente është më e predispozuar, sepse fasha e tyre nuk është e favorizuar për tu vaksinuar. Prandaj dhe sugjerimi ka qenë që baret e mbrëmjes të vazhdojnë deri në 23:00. Edhe lehtësimi i tyre duhet të jetë i ngadaltë”, u shpreh ajo në Report Tv.
Sa i përket faktit që do të lejohet grumbullimi deri në 50 persona, zv.ministrja shpjegoi se kjo masë u mor për shkak të kërkesave të shumta për të lejuar festat.
“Me shumë vend edhe rekomandimi sepse kanë qenë grupe të privuara nga pandemia. Mbështetur në kriterin e 30% të kapaciteteve do të vijojnë aktivitetin e tyre. Favorizimi i këtij grumbullimi ne kemi qenë në nivelin e 10 individëve, dhe kemi rekomanduar të jetë familjar. Duke mësuar faktin e zgjerimit në 50 individë bëhet fjalë për ditëlindje dhe festa të këtij niveli për të mundësuar festa që i kanë munguar popullatës. Ky protokoll është i sugjeruar përgjithësisht brenda ambienteve të jashtme”, theksoi Tomini.