Si kontrollohen të akuzuarit nën arrest shtëpiak? Nga kafet në lagje, tek vaksina e djalit, ja justifikimet që përdorin kur kapen ‘mat’ nga policia

Shqipëria

Si kontrollohen të akuzuarit nën arrest shtëpiak? Nga kafet në lagje, tek vaksina e djalit, ja justifikimet që përdorin kur kapen ‘mat’ nga policia

Më: 29 maj 2021 Në ora: 15:48
Foto ilustrim

Kur V. D u la nën arrest shtëpiak nga gjykata, për ndërtim të paligjshëm, asgjë nuk e ndaloi 47 vjeçarin që të zbriste përditë poshtë shtëpisë dhe të pinte kafe në lagje.

Kjo situatë zgjati deri ditën kur njëri nga efektivët e rendit e pa dhe siç përshkruhet në procesverbal vetë i riu nga Farka e ftoi efektivin për kafe. Pyetjes së policisë se përse nuk gjendej në banesë si e kishte urdhëruar gjykata ai ju përgjigj “se kam nevojë për pak ajër të pastër” .

Por 47 vjeçari nuk është i vetmi dhe as rast i shkëputur që thyejnë arrestin shtëpiak e në disa raste vazhdojnë të pa shqetësuar aktivitetin.

Rasti më ekstrem ishte ai i E.Ç , për të cilin sapo u zbut masa nga gjykata, ai u ekzekutua me një breshëri armësh. Prokuroria e Durrësit insiston se 40 vjeçari, qarkullonte i lirë dhe i qetë në qytetin bregdetar edhe pse ishte nën masë.

Ky qëndrim dhe version hidhet poshtë nga policia lokale që shton se 40 vjeçari i hetuar për pjesëmarrje në grup por asnjëherë i shpallur fajtor për këtë akuzë, armë mbajtje dhe kundërshtim të forcave të policisë, sapo kishte dalë nga shtëpia në respekt të një vendimi gjyqësor.

Megjithatë mbetet nën pikëpyetje se kush i kontrollon të akuzuarit nën arrest shtëpiak për disa prej të cilëve ka indicie se vazhdojnë aktivitetin kriminal. Policia shpjegon se për secilin prej tyre ka raport shërbimi sipas adresës së caktuar nga gjykata, por edhe kjo gjë mbetet për t’u diskutuar.

Shpërndarësi i drogës 31 vjeçari E.Z është një nga personazhet e dyshuar si shpërndarës heroinë dhe dogrash të forta në kryeqytet.

Arrestimi i tij i fundit u krye nga seksioni për hetimin e narkotikëve në bashkëpunim me komisariatin numër tre . Sasia që ju bllokua peshonte 1 kilogramë e 75 gramë drogë e llojit heroinë.

I dyshuar se shpërndante drogë në rrugën Asdreni, antidroga ju vu pas derisa i bujti në banesë dhe i bllokoi dozat e konsiderueshme. Por pa kaluar shumë ditë ai u la I lirë nga gjykata e kryeqytetit duke i prerë faturën e liridaljes e duke e dërguar nën arrest shtëpiak.

Sipas një burimi policor të Gazetasi.al, antidroga u kthye në banesën e shpërndarësit me adresë rruga “Shyqyri Ishmi”, mbasi një informator e vuri në dijeni se sërish 31 vjeçari ishte parë në lagje duke shitur drogë. Dokumentet tregojnë se një shërbim i antidrogës i trokiti në derë nën justifikimin se do ta kontrollonin nëse po i bindej apo jo i akuzuari vendimit gjyqësor.

Raporti i shërbimit ilustron se ashtu siç pritej 31 vjeçari E.Z nuk ishte në banesë dhe se kishte thyer masën e arrestit. Punonjësit e policisë shkuan në adresën e shtëpisë të personit nën masë sigurie dhe aty gjetën një shtetase me inicialet A.C , e cila u pyet se ku ndodhet E.Z.

Përgjigjja e gruas ka qenë shteruese.

“Im shoq ka dalë nga shtëpia pasi po i bën vaksinën djalit” dëshmon e reja. Policia shkruan në dokument “punonjësit e policisë njoftuan prokurorin e çështjes dhe i lanë porosi shtetases A.C që shtetasi E.Z të paraqitet në ambientet e drejtorisë vendore të Policisë Tiranë”.

Sipas policisë i dyshuari si shpërndarës u paraqit në polici gjashtë orë mbasi antidroga e kishte vizituar në shtëpi dhe nuk e kishte gjetur.

Ky shtetas mbante në dorë dhe i dorëzoi policisë një recetë mjekësore në emër të të birit. “Receta është lëshuar nga Qendra Shëndetësore numër 1,” thotë burimi policor, sipas të cilit, mbas këtij momenti të riut ju njoftua edhe nisja e hetimit për veprën “largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” sipas nenit 323/1 të kodit penal.

Sidoqoftë bëhet me dije se policia po verifikon edhe Qendrën Shëndetësore për të konfirmuar rrethanat dhe nëse kjo recetë është fiktive apo jo. Por për agjentët e krimeve mbeten sidomos shqetësues ata persona nën akuzë për shpërndarje për të cilët gjykata jep vendime lehtësuese siç është rasti i mësipërm por edhe raste të dhunës në familje.

Rasti më ekstrem është ai i një 53 vjeçari të dërguar në shtëpi me të njëjtën masë, i cili u prangos për dhunë në familje dhe për shkaqe shëndetësore gjykata i dha lirinë.

“Ky qytetar u zbulua në lokal duke pirë alkool dhe kur u arrestua sërish deklaroi se kishte dalë nga banesa pasi nuk duronte dot gruan”,shpjegoi zyrtari i policisë i cili nuk përjashton raste kur oficerët i njohin këta persona dhe shpesh i tolerojnë, kryesisht ata të dyshuar që jetojnë në zonat rurale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat