Në 9 qershor, seanca për shkarkimin e presidentit Meta

Shqipëria

Në 9 qershor, seanca për shkarkimin e presidentit Meta

Më: 31 maj 2021 Në ora: 11:49
Ilir Meta

Kuvendi do të mblidhet me 9 qershor, në orën 10, për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Vendimi u mor sot nga Konferenca e Kryetarëve, e cila caktoi datën për mbajtjen e seancës plenare për votimin e raportit të Komisionit Hetimor, i cili i ka propozuar Kuvendit shkarkimin e Presidentit.

Pavarësisht se nga socialistët u quajt një sukses raporti përfundimtar, në shumicën e materialit voluminoz ka të transkriptuar intervistat televizive si dhe deklarata publike të Kreut të Shtetit  para dhe gjatë fushatës elektorale.

Në total janë 19 deklarata publike, 45 postime në rrjetet sociale dhe intervistat në mediat televizive.

Partisë Socialiste do t’i duhen 94 vota në Parlament për ta çuar deri në fund vullnetin e saj për shkarkimin e Metës, duke u bërë në këtë mënyrë precedenti i parë në historinë e pluralizmit.

Pas vendimit politik të Parlamentit, fati i Ilir Metës do të jetë në dorën e interpretimit të 7 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat