Me 9 qershor Kuvendi do të mblidhet për të shkarkuar presidentin Ilir Meta.Pas vendimit politik të Parlamentit, fati i Ilir Metës do të jetë në dorën e interpretimit të 7 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, nuk preferoi të komentojë paraprakisht se çfarë do të ndodhë nëse Kushtetuesja nuk legjitimon shkarkimin e Kreut të Shtetit.
"Nuk ka të bëjë me mua dhe as institucionin e Kuvendit. Kushtetuta është shumë qartë që Kuvendi i e përfundon procedurën e tij me 9 qershor dhe më pas është një institucion tjetër kushtetues që do të vlerësojë nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë shkelje të rënda kushtetuese. Nuk do bëj asnjë koment për këtë çështje deri sa të shprehet Kushtetuesja sepse është një institucion i pavarur. Na është dashur shumë punë për bërjën funksionale e saj pas pastrimit të saj. Shpresoj që si KLGJ dhe KLP të vijojnë punën për plotësimin e vakancave".
Megjithatë Balla u shpreh optimist nisur nga precedenti i vënë me vendimin për dekretimin e ministrave.
"Ishte një vendim shumë i qartë se presidenti i hoqi të drejtën kuvendit të shprehet për dekretet.Ka çliruar çdo lloj ngërçi. Është e drejtë e kryeministrit të propozojë, e drejtë e Presidentit të verifikojë dhe në fund".
Por nëse Kushtetuesja nuk arrin të shprehet deri në shtator kur edhe pritet formimi i qeverisë së re, ku do të betohen Rama me ministrat?
"Kushtetuta është libri i detyrueshëm për tu zbatuar nga gjithëkush. Presidenti në fund të muajit gusht është i detyruar të thirrë seancën e parë të Kuvendit në rast se nuk e ushtron këtë Kuvendi do të mblidhet në 9 shtator dhe procedura e parë është verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhja e kryetarit të kuvendit dhe votimi në seancë plenare i përbërjes së këshillit të ri të ministrave dhe programit. PS po vazhdon procesin e përgatitjes për këtë mandat të ri qeverisës".