Kontrata prej 90 mijë euro në blerjen e një apartamenti ka sjellë debat në KPA mes Komisionerit Publik dhe prokurorit Anton Martini. Përfaqësuesi i akuzës ka këmbëngulur në sigurimin e burimit të ligjshëm të të ardhurave një pjesë e së cilës me kredi. Përplasje u hasën dhe në verifikimin e figurës për dy denoncime të bëra ndaj tij.
Pasuria e prokurorit të Tiranës, Anton Martini, ka qenë në qendër të diskutimeve në seancën e radhës në KPA.
Komisioneri publik në gjetjet e tij ka ngritur pikëpyetje mbi blerjen në vitin 2015 të një apartamenti 97 m katrorë me vlerë 90 mijë euro.
Në përballje ai ka konstatuar pamjaftueshmëri të burimeve të ligjshme të të ardhurave.
Argumentin se një pjesë e parave ishte siguruar nga një pjesë e kredie prej 5 milionë lekësh të marrë në vitin 2007 komisioneri e ka konsideruar të pamjaftueshme.
Kjo pasi Martini nuk kishte bërë të ditur në deklarimet e pasurisë deri në vitin 2010 gjendje monetare cash.
Edhe pagesa për banesën ka hasur në probleme, pasi në kontratë thuhet se shuma është e shlyer e plotë, por se faktikisht me fatura janë dhe 5 mijë euro detyrime të mbetura.
Për këtë çështje Martini ka kundërshtuar duke e konsideruar një gabim të noteres kur është lidhur kontrata e shit/blerjes.
Avokati i tij argumentoi se në deklarimin e pasurisë mund të ketë pasur gabime pasi një pjesë e kredisë është përdorur për blerje të bonove të thesarit dhe logjikisht pjesa tjetër ka mbetur e papërdorur.
Përplasje në seancë ka pasur dhe sa i përket verifikimit profesional e për këtë ka shërbyer denoncimi i një gazetari për mbylljen e hetimeve kur ai u kërcënuar.
Por përfaqësuesi ligjor i prokurorit u shpreh se dosja u mbyll pas i interesuari nuk kishte dhënë deklarime dhe se në atë kohë çështja do të përdorej për të kërkuar azil politik pasi denoncuesi ishte larguar jashtë shtetit.
Edhe rastin e denoncimit për marrjen e dosjeve pa short në Shkodër, prokurori e ka konsideruar të padrejtë, duke thënë se një pjesë e mirë e tyre janë ndarë manualisht për shkak se nuk funksiononte pajisja elektronike.