Rexhep Kasmi, kryetar i shoqatës së operatorëve turistikë, thotë se bizneset e turizmit po ndeshen me mungesë të fuqisë punëtore. Sipas z. Kasmi kjo ka ardhur kryesisht për shkak se nuk u menaxhua siç duhej situata e pandemisë por edhe për shkak se ky sektor ka pasur një rritje të madhe vitet e fundit.
“Ne kemi pasur problem me personelin dhe prurjet e reja cilësore në sektorin e turizmit. Nuk ka persona të kualifikuar. Rritja e turizmit ka qenë me dinamikë më të madhe se sa shkollimi apo formimi i personelit. Ne e dimë se sa shkolla kemi dhe sa nxënës regjistrohen. Ne e dimë se sa është nevoja, pot ë llogarisim dhe fiton që ekziston në të gjithë sektorët, dhe ky personel i turizmit e ka shumë kollaj që të punësohet jashtë. Duhet analizuar dhe krijuar politika për t’i dalë parapritë kësaj mangësie”, deklaron ai.
Rexhep Kasmi tha se si zgjidhe pati propozuar që “e gjithë kjo armatë që ishte papunë në turizëm të paguheshin nga shteti nëse do të ndiqnin një kurs profesional” dhe kjo do të sillte përfitime të gjithanshme, për bizneset e turizmit, vendin dhe vetë punonjësit që do të paguheshin edhe më shumë pas rritjes së kualifikimit. Por propozimi tha z. Kasmi nuk u mor parasysh.
“Do ndihet sivjet më shumë për shkak të pandemisë sepse lëvizjet që u bënë pas pandemisë jo vetëm që ishin të gabuara por nuk ishin të duhurat. Të gjitha subjektet turistike u detyruan që të hiqnin personel nga puna. Nëse një punëtor me gjuhë të huaj nuk gjen punë për disa muaj, ai ikën. Shteti nuk hartoi asnjë politikë për t’i mbajtur këta punëtorë të kualifikuar”, shtoi z. Kasmi.
Kryetari i shoqatës së operatorëve turistikë thotë se punonjësit e huaj janë shumë të kualifikuar se sa shqiptarët duke nisur që nga komunikimi por edhe përgatitja që kanë marrë nga edukimi. Ai solli si shembull fakti se çdo kamerier të përshëndet me fjalët “Si je?” ndërsa për t’i uruar mirëseardhjen klientët ka shumë fjalë të tjera që do ta bënin të ndihej mirë.
“Ne këtu jemi mësuar me këtë nivel, por nëse këtë do ta bënte në një lokal në Gjermani, klienti do të kthente kokën pas pasi do ë kujtonte se po flet me dikë tjetër”, përfundoi z. Kasmi.