Spartak Braho i përgjigjet Agron Tufës: Nuk kam ndryshuar emër, të shpjegojë pse e përzunë nga Zvicra

Shqipëria

Spartak Braho i përgjigjet Agron Tufës: Nuk kam ndryshuar emër, të shpjegojë pse e përzunë nga Zvicra

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 21:23
Spartak Braho

Deputeti i PS-së Spartak Braho, i ftuar në emisionin “Front line” deklaroi se akuzat e Agron Tufës në drejtim të tij janë të kota.

Braho theksoi se nuk ka ndryshuar ndonjëherë emër, kurse tha se Tufa duhet të shpjegojë pse e përzunë nga Zvicra.

“Agron Tufa iku e u arratis, sepse tha do më vrasë ky e ai. Kërkoi azil politik bashkë me 5 fëmijë, se ka edhe 5 fëmijë. Agron Tufa shante partizanët bashkë me tjetër. Agron Tufa me kokën e madhe si qen sharri. Unë jam Spartak Braho, le çfarë thotë ai. Unë s’jam shoku Penicilina. Emri im zyrtar është Spartak dhe nuk e di nëse ia vlen të merrem me këto. Ky është i sëmurë, të shpjegojë pse e përzunë nga Zvicra”, tha Braho.

Spartak Braho shtoi se ndjen keqardhje që Pandeli Majko dhe Mimi Kodheli nuk dolën deputetë, kurse shtoi se gëzohet për faktin se Fatmir Xhafaj e mori mandatin.

“E kisha të qartë se në vendin që isha, nuk do arrija të bëhem deputet. Ishte vlerësim për mua, që kryetari më tha se do kandidosh në listën e PS. Kisha bërë be me veten time, që unë dua të jem sa kohë është Sali Berisha. Nëse ikën ai, iki dhe unë. Unë iki me nder, ai ikën i turpëruar. Nuk ka rëndësi fare mandati, është copë letër. Këto ishin ndër zgjedhjet më të mira të organizuara, në kuadrin e standardeve dhe ky është i pritshëm edhe në raportin final. Brenda llojit ka probleme, që duhen rregulluar në Kodin Zgjedhor, veçanërisht problemi i numërimit të votave për kandidatët. Është bërë fushata edhe për PS-në, por edhe me emra është bërë. Rëndësi ka që fitorja ishte e thellë e bindëse, ata që dolën duhet ta justifikojnë hyrjen në parlament. Për Majkon dhe Mimin më ka ardhur keq. Traun ndonjëherë edhe nuk e kapërcen. Xhafaj e kapërceu traun dhe jam i gëzuar, e kapërceu apo jo, ne e pamë doli mandati”, vlerësoi Braho.

Në lidhje me videot në tik tok të gjyqtares Enkelejda Kapedani, Braho u shpreh se duhet që instancat përkatëse të vërtetojnë nëse filmimi është autentik.

“Nuk kam dashur të përfshihem në komente të kësaj ngjarje. Jam pezmatuar nga analistët, ne kemi analistë të mirë, por edhe të dobët e pa kulturë, aq më tepër për çështje ligjore. Kemi parë një video të Tik Tok, ku ajo po sfilon, po i jep makinës. Barra e provës iu takon atyre që t’ia provojnë asaj. Gjyqtarja thotë se nuk janë të vërteta. Filmime të tilla edhe manipulohen me shumë lehtësi. Kjo sepse ato veprime janë komplet anormale. Duhet vërtetuar nëse filmi është autentik. Analistët nuk mund të nxjerrin përfundime kategorike. Përfundimet duhet të jenë të bazuara në ekspertiza ligjore. Nëse gjyqtarja ka liruar ndonjë personazh krimi, duhet të mbajë përgjegjësi, unë dua drejtësi në analizën e çdo fenomeni, se ndryshe do shkatërrohemi si komb”, përmbylli Braho.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat