Fqinjët e biznesmenit i cili u vra me armë zjarri mbrëmjen e të martës në Tepelenë thanë se biznesmeni, Çajup Selimi sipas tyre nuk kishte konflikte.
“Rreth orës 21:00 kemi dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Viktimën e njihnim, ishte djalë shumë i shkathët dhe bënte shumë për qytetin e Tepelenës. Na ka ardhur shumë keq. Nuk kishte konflikte me njeri dhe ishte punëtor i palodhur. Kjo ngjarje na ka tronditur. Dëgjuam dy krisma dhe u tronditëm jashtë, nuk e kuptuam persë ndodhi sepse ishte djalë shumë i rregullt”, është shprehur një nga fqinjët.
Kujtojmë se biznesmeni u ekzekutua në shkallët e pallatit në momentin kur ka qenë duke u futur në apartamentin ku ai banonte.
Dyshohet se autorët kanë qenë dy dhe pasi kanë qëlluar janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa ende nuk janë identifikuar. Selimi ishte pronar i një dyqani rrobash në Tepelenë.