Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur në rendin e ditës kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
Relator i çështjes do të jetë Maksim Qoku. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar pezullimin dhe shkarkimin e kryegjyqtares.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë vuri nën hetim më 31 maj kryegjyqtaren e Elbasanit pas publikimit të disa videove ku ajo shfaqet në shkelje të etikës së godinës së drejtësisë.
Në një profil në rrjetin TikTok, Enkeleda Kapedani, shfaqet duke bërë sfiladë në ambientet e gjykatës, ndërsa në zyrë dëgjonte këngë për mafian.
E kontaktuar nga Ora News, gjyqtarja Kapedani nuk pranoi të komentojë nisjen e hetimit, por sa i takon videove pretendohej se ia kanë vjedhur dhe publikuar në rrjetet sociale për ta përbaltur.
"Nuk kam profil në aplikacionin TikTok. E gjitha është e inskenuar dhe e qëllimshme për të përbaltur figurën time. Për hetimin e ILD nuk kam asnjë koment”.