Ecuria me ritme të ngadalta e reformës në drejtësi duket se ka ‘paralizuar’ funksionimin normal të organeve të drejtësisë në vend.
Kryetarja e Këshillit Të Lartë Gjyqësor, Naureta Llagami, gjatë pasqyrimit të raportit vjetor, shprehu në Komisionin e Ligjeve rëndësinë e zbatimit të shpejte të reformës në drejtësi, pasi vonesat sipas saj kanë bërë që gjykatat të jenë në kolaps dhe sidomos në Apel.
"Flasim për Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila është ndër Gjykatat që ka uljen më të madhe përsa i përket efektivitetit të efiçëncës. Kjio Gjykatë ka paraqitur një problematikë lidhur me ngarkesën dhe me numrin e gjyqtarëve që gjykojnë në këtë Gjykatë, sepse për vitin 2020 nga 13 që është parashikuar kanë gjykuar vetëm 9 gjyqtarë që kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ngarkesës," tha Llagami.
Mungesa e prokurorëve në organizmat e drejtësisë si pasojë e vettingut, u evidentua si problematikë edhe nga Kryetari i Këshillit të Reformës Ligjore, Gent Ibrahimi, i cili theksoi se edhe gjatë vitit 2021 nuk do të mund të plotësohet organika e Prokurorisë së Posaçme.
"Ne do duhet të kishim në detyrë 336 prokurorë, sot në fakt kemi në detyrë 266. Kjo gjendje është rezultat i veprimit të faktorëve të ndryshëm ët vettingut në radhë të parë, por edhe ka prokurorë që janë me lejë afatgjata," tha Ibrahimi.
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureta Llagami, i propozoi Ministrisë së Drejtësisë një riorganizim të burimeve njerëzore dhe infrastrukturore si domosdoshmëri për tejkalimin e situatës.