Starton sot sezoni i provimeve të maturës për 34 mijë të rinj që rezultuan kalues në të gjitha lëndët e klasës XII.
Si çdo vit tjetër, është gjuha e huaj ajo që hap siparin e testimeve, ku rëndom maturantët rezultojnë shumë mirë, veçanërisht në raport me gjuhën shqipe, i cili do të jetë i dyti në listën e provimeve, më 7 qershor.
Matematika dhe lëndët me zgjedhjet pasojnë me katër ditë ndërmjet, për ta përmbyllur sezonin në mes të muajit qershor, pasi radha e testimeve kalon te minimaturantët me provimet e lirimit. Për të qetësuar maturantët e përfshirë prej kohësh nën ethet e provimeve, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një video-mesazhi nënvizoi se hartimi i tezave është bërë duke konsideruar vështirësitë e hasura në dy fatkeqësi njëra pas tjetrës që ndalën rrjedhën normale të mësimit. “Unë e di që ju keni punuar shumë për të arritur rezultatet më të mira. Ndërkohë që jemi plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë që keni pasur gjatë këtij viti të pazakontë.
Prandaj, i kemi reflektuar ato në procesin e hartimit dhe administrimit të Maturës Shtetërore. Dua t’ju siguroj që në këtë pikë ne jemi dhe do të vijojmë të jemi shumë të kujdesshëm në mbështetjen tuaj, në mënyrë që secili prej jush të vlerësohet duke konsideruar vështirësitë e këtij viti, por nga ana tjetër, edhe me meritokraci, duke bërë dallimin e më të mirëve”, thotë Kushi teksa shpreh mirënjohjen për durimin e treguar gjatë gjithë vitit pandemik.
“Ju do të mbaheni mend si maturë që pavarësisht kushtëzimeve që solli pandemia e Covid-19 dhe tërmeti i 26 nëntorit u përshtatët në një kohë rekord dhe nuk humbët asnjë sekondë nga procesi i mësimnxënies”, inkurajon ministrja e Arsimit të rinjtë që iu drejtohen sot shkollave për të dhënë një nga provimet që ndikon në njëfarë mënyrë gjithë drejtimin e jetës së tyre. Ky vit rikthen skemën tradicionale të provimeve me ndërthurjen e pyetjeve me alternativa e ato me zhvillim. Ndonëse nuk dihet se çfarë porosish iu janë dhënë administruesve, për të cilat flet ministrja, Covid-19 dhe kopjimet janë dy faktorët madhorë që penalizojnë të rinjtë duke i kthyer direkt në vjeshtë.
Mësuesit dhe nxënësit e infektuar nuk do të jenë pjesë e testimeve, në mesin e 34 mijë nxënësve e thuajse po aq mësuesve të përfshirë në administrim mësohet të mos jetë asnjë me Covid-19, sipas burimeve në Ministri. Pjesë e ekipit administrues në kate shkollash apo edhe përgjegjës mësohet se do të jenë edhe mësuesit praktikantë, të cilët ankohen se pas një viti të lodhshëm e sfidues edhe për ta, duke zëvendësuar çdo mësues që mungonte, tanimë iu është dhënë një përgjegjësi e madhe jo vetëm pa të drejtë pagese, por edhe pa transport.