Videot në “TikTok” të gjyqtares Kapedani/ Zv.ministri i Drejtësisë: Performanca e koleges lë shumë për të dëshiruar

Shqipëria

Videot në “TikTok” të gjyqtares Kapedani/ Zv.ministri i Drejtësisë: Performanca e koleges lë shumë për të dëshiruar

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 11:24
Klajdi Karametra

Zëvendësministri i Drejtësisë, Klajdi Karametra, ishte sot i ftuar në studion e emisionit “Breaking” në Top News, për të komentuar shkeljen e kodit të etikës nga gjyqtarja, Enkeleda Kapedani.

Disa ditë më parë Kapedanit iu shfaqën disa video në aplikacionin ‘’TikTok’’ nga automjeti dhe ambientet e Gjykatës së Elbasanit. Sipas ILD veprimet e saj diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit.

Karametra u shpreh se si qytetar e ka parë si diçka të çuditshme për pozicionin që Kapedani mban.

Ndërsa duke komentuar reagimin e ashpër që pati ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për këto video që bënë bujë menjëherë, Karametra tha “se i është referuar një fakti që ndodhur para kohësh”.

“Është bërë një referim në KLGJ, ku një person me të shkuara kriminale është liruar, ishte i dënuar me 25 vite burg, çështja është e njohur. Ka qenë në linjë edhe me sjelljet e Gjykatës së Krujës. Performanca e koleges lë shumë për të dëshiruar, në një sistem ku paguhet me taksat e shqiptarëve.

Ky rast që kemi referuar në KLGJ është një rast flagrant. Gjyqtarja në fjalë është bërë temë diskutimi tani për një gjë tjetër. Ne vijmë të gjithë nga një komunitet juristësh, profesioni i gjyqtarit futet në pjesën më konservative të shoqërisë. Janë njerëz që kanë një trajtim financiar goxha mbi mesataren e administratës, janë përfitues të shumë prviligjeve që nuk i kanë pjesa tjetër e administratës. Rasti në fjalë nuk ka të bëjë me performancën në detyrë. Rasti në fjalë po referohet nga ILD dhe më pas KLGJ do të vërtetojë akuzat dhe të marrë një vendim”, tha zëvendësministri i Drejtësisë.

I pyetur nëse ky rast mund të krijojë paragjykime te qytetarët për sistemin e drejtësisë, Karametra tha se “gjyqësori është një sistem ku punojnë shumë kolegë, ku ka shumë të nderuar”.

“Duhet të dimë të bëjmë edhe diferencimin, se gjëra të rralla ndodhin kudo. Rastet e tilla duhet të evidentohen e të marrin vendimet e duhura për ta.

Jemi në një situatë, në një reformë të thellë të drejtësisë. Shumë gjëra që kanë vlejtur para disa vitesh, po rishikohen. Po krijojmë standarde të reja, e po marrim rezultatet nga institucionet e reja që janë krijuar. Sistemi po vepron dhe po tregon efikasitetin”, tha zëvendësministri i Drejtësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat