Trafikonin tritol dhe armatim luftarak, sot masa e sigurisë për 3 të arrestuarit në Durrës

Shqipëria

Trafikonin tritol dhe armatim luftarak, sot masa e sigurisë për 3 të arrestuarit në Durrës

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 13:45
Foto

Gjykata e Durrësit pritet të japë sot masën e sigurisë për tre të arrestuarit e operacionit "Binomi", të cilët u kapën në tentativë për të trafikuar eksplozivë, armë dhe municione.

Të pranishëm në seancë janë tre të pandehurit, Barim Flora, person me precedent penalë, Ardjan Gjoka dhe Jemin Flora, që të tre banues në Tiranë.

Ata u kapën në një makinë pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës pasditen e 1 qershorit, teksa policia thotë se ishin nën hetim prej gati një muaji për përfshirje në trafikimin e lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

Në makinën ku udhëtonin tre burrat policia sekuestroi  1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;  2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol, 3 granata dore luftarake.

Ndërsa më herët në kuadër të hetimit, është sekuestruar një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatorë dhe një sasi municioni luftarak.

Eksplozivët dhe municionet do të shiteshin në tregun e zi të armëve që më pas kryesisht përdoren për ngjarje të rënda kriminale.

Policia ka dyshime për një rrjet të mirëfillte trafiku, ndaj duke u treguar e rezervuar në detaje thotë po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat