Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike ishte një nga temat që u diskutua ditën e sotme në emisionin “Breaking” në Top News. Në studio ishte i ftuar analisti i njohur, Agim Baçi, i cili u shpreh se i vjen mirë që përballë Bashës ka sfidantë si Agron Shehaj.
Gjithashtu gjatë bisedës në studio, Baçi foli pak edhe për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit, Sali Berisha, dhe roli i tij aktualisht në PD. E teksa fliste për vendimin e DASH për Berishën, analisti tha se “Rama duhet të ishte shpallur “non grata” me kohë”.
Si e sheh kandidaturën e Shehajt?
Kandidatët po flasin shumë gjëra që nuk janë thënë. Ka njerëz që nuk janë në strukturat e Partisë Demokratike, por njihen si kontribuues të rëndësishëm. Shehaj ka investuar në disa drejtime. Ka kontribuar duke gjetur gjëra të rëndësishme siç ishte skandali i unazës. Nuk duhen më shumë se katër vite për të treguar kontributet.
Pse Ibsen Elezi u la jashtë kandidaturës për kryetar të PD-së?
PD nuk do të jetë një parti që përjashton, se vjen nga një fjalë që do të thotë i lirë. Mendoj se Ibseni vuri pikëpyetje seriozitetit të një kandidati. Por unë nuk do të kisha votuar për të qenë jashtë kandidaturës”, vijoi Baçi.
A janë 3 kandidatët potencial për të fituar kundër Bashës?
Zoti Shehaj dhe zoti Kadilli kanë një profil publik pak më të lartë se zonja Harxhi. Kanë nisur një fushatë që po prek gjithë Shqipërinë. Ka pasur pjesëmarrje të demokratëve te të gjithë kandidatët. Ka dy pika që i shikoj si një shmangie drejt thelbit. Po mundohen që të sulmojnë Bashën, i cili ndoshta është më i favorizuari. Dje pashë që Harxhi kishte thënë se unë i njoh zgjedhjet, dhe i jep në drejtim tjetër. Basha u tha militantëve se nëse pranoni se janë fituar zgjedhjet nga PS në mënyrë të drejtë, unë jap dorëheqjen.
Kandidatët nuk mund të jenë të tillë, që të thonë gjëra që as vetë nuk i besojnë. Të gjithë thonë do hapet partia, por nuk kanë një sqarim se çfarë do të thotë. Do të krijojë një front anti-qeveri? Lufta brenda llojit është e ashpër
Kush fiton më 13 qershor?
Unë shpresoj që gara të vlejë. Ka shumë gjasa që garën ta fitojë Basha. Demokratët po tregojnë një lloj këndvështrimi tjetër, po mbajnë qëndrime, po bëjnë pyetje. Është e shëndetshme. Unë kam thënë që kushdo që fiton ka mundësi shumë që këtë lloj leksioni debati ta kthejë në një mësim të mirë, se çfarë do të bëjë ndryshe pas 13 qershorit.
Familja e opozitës duhet të thotë disa gjëra. Do doja të dëgjoja që në programin e tyre kanë pikën se si do të kthejnë Partinë Demokratike në mazhorancë. Të thonë gjërat me zë të lartë që të ketë zgjidhje.
Ju bën përshtypje që Berisha nuk reagon për zgjedhjet brenda PD? Ndoshta tani ka gjëra të tjera për t’u marrë pasi u shpall “non grata”, por as më para nuk ka reaguar.
Nuk ka nevojë të flasë, është aty, është emblemë. Nuk di se sa prania e Berishën në PD kushtëzon veprimet e Bashës në Partinë Demokratike. Ka figura që janë rritur me të, kanë bashkëpunuar me të, e shumë njerëz e kanë të vështirë të ndryshojnë autoritetin.
Politika është e tillë, një adrenalinë e madhe që kërkon të rritet doza. Është e pandalshme doza e rritjes së adrenalinës politike. Në këto 30 vite ka dominuar. Domethënia “non grata” erdhi tani, por pse? Është naive të themi se në këto 8 vite ka pasur më shumë ndikim se kur ka qenë në qeveri. Varianti më i mirë, e kanë nisur me të që nesër pas nesër mos të paragjykohen ata që do të shpallen “non grata”.
Rama duhet të ishte shpallur “non grata” me kohë. Humbi gjyqin me Becchetti-n për një tekë të veten. Ka prekur një nga shtyllat kryesore të demokracisë, pushtetin e katërt që është media.
Çfarë ndodh pas 13 qershorit?
Kushdo që vjen në krye të Partisë Demokratike, të mendojë se si opozita të kthehet në një mazhorancë morale.
Unë nuk fajësoj popullin, por politikën që nuk ka krijuar shanset e duhura që njerëzit të mendojnë të punojnë këtu. Vështirësia ekonomike i bën që militantët të jenë shumë të varur nga politika, pasi mendojnë vendin e punës. Shpresoj që lideri i PD-së pas 13 qershorit të hedhë sytë te një program tjetër. Tu shpjegojë qytetarëve që kanë të drejtë të kundërshtojnë këto zgjedhje.