Ish-vjehrri Mexhit Picari nga Vora e Tiranës ka vrarë me 8 plumba dhëndërin e tij Kudret Saliaj, nga Berati por banues në Tiranë.
Policia njoftoi arrestimin e tij pak më parë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të ditës dhe në ambjentet e jashtë të një lokali të njohur në Tiranë, ku shpesh qëndrojnë avokatë, palë të përfshira në gjyqe të ndryshme, gjyqtarë, prokurorë dhe përmbarues të ndryshëm.
Kudret Saliaj kishte paditur në gjykatën civile bashkëshorten e tij Dhurata Saliaj, vajzën e Mexhipit, duke kërkuar prej saj divorcin. Por me këtë proces gjyqësor me sa duket nuk kanë qënë dakord, familjarët e gruas së Kudretit, e cila prej kohësh ishte shkëputur fizikisht prej tij, duke qëndruar së bashku me fëmijët herë tek shtëpia e prindërve dhe herë tek një shtëpi tjetër në Tiranë.
Ditën e sotme, Kudret Saliaj, ndodhej në shoqërinë e avokatit të tij, ish-prokurorin Adraitik Cama. Ata po qëndronin në ambjentet e lokalit “T… B…”, kur ish-vjehri Mexhip Picari, ka ekzekutuar me armë dhëndërin e tij. Nga plumbat është plagosur edhe avokati Adriatik Cama.
Në pritje të gjyqit
Ata ishin në pritje në ambjentet e lokalit, pasi në orën 12:00 kishin për të zhvilluar seancën e pestë rradhazi në gjykatën e Tiranës, ku gjyqtare për shqyrtimin e kërkesës së tyre ishte zgjedhur Irena Plaku. Tashmë kjo gjyqtare është duke u marrë në pyetje, sikundër po veprohet nga policia e Tiranës, edhe me 10 persona të tjerë që kanë qënë prezent në ambjentet e lokalit ku ndodhi krimi.
Rasti konfliktual që përfundoi me vrasje, është bërë publik dhe në media ku Dhurata Saliaj, ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Kudret Saliaj.