Vëllai vret motrën në Shkodër, shefi i komisariatit: Viktima u gjet në dhomën e saj të gjumit

Shqipëria

Vëllai vret motrën në Shkodër, shefi i komisariatit: Viktima u gjet në dhomën e saj të gjumit

Më: 7 qershor 2021 Në ora: 08:30
Ilustrim

Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën mbrëmjen e së dielës, 6 qershor ku krimi goditi në familje.

Fabian Vuka 55 vjeç dyshohet se ka ekzekutuar me armë zjarri të motrën 58 vjeçare Diana Vuka, e cila vetëm tre ditë më parë ishte kthyer nga gjermania.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Ndoc Mazi” ndërsa dyshimet janë që vrasja të ketë ndodhur më herët por është zbuluar nga policia vetëm mbrëmjen e kësaj fundjave.

"Rreth orës 22:30, 6 qershor në sallën operative morëm një telefonatë që shtetasja Diana Vuka kishte humbur kontaktet me familjarët. Kemi bërë verifikimin e parë në banesën e kësaj shtetaseje ku është konstatuar dhe është gjetur e pajetë Diana Vuka rreth 60 vjeç. Është ushtruar kontroll në ambientet dhe përreth shtëpisë, dhe është ndaluar e kapur vëllai i saj Fabian Vuka  rreth 58 vjeç. Kemi të bëjmë me një krim brenda familjes. Vrasja është kryer me armë zjarri, janë siguruar një pjesë e provave dhe po punohet akoma. Kufoma ishte brenda në banesë, brenda në dhomën e gjumit të saj," tha shefi i komisariatit Shkodër, Paulin Çupi.

Krimi mendohet të ketë ndodhur nën efektin e alkoolit pasi autori njihej si përdorues dhe madje mes tyre sipas dëshmive të fqinjëve ka patur debate të herëpashershme.

Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës për akt ekspertizë mjekësore ndërsa autori i arrestuar nga policia do të merret në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Dëshmia e tij do të mund të ndihmojë grupin hetimor për të ndërtuar ngjarjen, ndërsa paralelisht do të pyeten të afërm dhe fqinj të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat