Në një intervistë, analisti Shpend Gashi u shpreh se nisma e mazhorancës për shkarkimin e presidenti është një thellim i krizës politike në vend.
Sipas tij, Meta nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese dhe se është i vetmi institucion që ka mbetur pa u kapur nga mazhoranca në vend.
Gashi: Ky lloj veprimi i nisur nga mazhoranca vetëm sa e thellon krizën politike në vend, sepse po kapet i vetmi pozicion dhe institucion që është propozuar nga opozita. Kjo thellon krizën dhe e bën të pashmangshme krizën mes PD-së dhe LSI-së duke thënë se edhe presidenti tjetër do të propozohet nga PD-ja. Shkeljet e Metës nuk bazohet institucionalisht në asnjë institucion, sepse nuk mund të shkojmë dhe tia ngarkojmë personit Meta. Akuza e mazhorancës nuk bazohet në ligj me ato që ka thënë për presidentin.
Do të jetë Gjykata kushtetuese ajo që do të thotë fjalën ë fundit. Me këto veprimet po shohim se kjo drejtësia e re nuk po i jep këto frytet e reja. Nëse një gjë e tillë ndodh me shkarkimin e Metës, do të bëhen realitet frika jonë për partinë-shtet. Parlamenti nuk përfaqëson njeri sepse nuk është i plotë dhe është nën shërbim të pushtetit. Aty nuk ke përfaqësues, por disa njerëz që fati donte që ata të ishin aty. Për mua presidenti e ka personalizuar shumë çështjen, që vjen nga trashëgimia si kreu i LSI-së. një palë ka marrë të gjitha pushtetet, kjo edhe për shkak se opozita i braktisi institucionet.
Gashi duke folur për zgjedhjet brenda PD-së u shpreh se ka një garë, por që është vetëm konvencionale dhe se Basha do të dalë fitues.
Gashi: Për mua duhet një institucion që ta balancojë këtë furinë e pushtetit. Presidenti është një institucion dhe në këto kushte ai në këtë polarizim të madh ka mbajtur anën e opozitës. Ndërkohë, momentalisht PD po zhvillon zgjedhjet për kryetar, edhe pse ka një garë konvencionale të kësaj gare. Unë nuk shoh një garë reale, por ka një kandidat real. Basha nuk ka bërë asnjë ndryshe nga Rama brenda partisë së tij. Dihet se Basha nuk do të ikë nga partia dhe do të fitojë zgjedhjet. Por unë kam parë se Shehaj është një kandidat i modelit amerikan.