Shqipëria ndodhet në një moment historik në përfaqësimin e saj ndërkombëtar, siç është Këshilli Sigurimit të OKB.
Të premten, 193 vendet anëtare të Organizatës të Kombeve të Bashkuara do të votojnë që Shqipëria për herë të pas anëtarësimit 65 vjeçar në këtë organizatë të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-s për periudhën 2022-2023.
Për të arritur deri në këtë moment diplomacisë shqiptare i janë dashur 10 vjet diskutime dhe lobim. Deri më tani Shqipëria ka siguruar votat pro të 120 vendeve por që të ulet në karrigen e Këshillit të Sigurimit i duhen votat e dy të tretave të vendeve pjesëmarrëse dhe votuese të asamblesë së përgjithshme.
Lobimi me vende të ndryshme do të vijojë deri në momentin e fundit të votimit. Për këtë ndodhet në Nju Jork vetë shefja e diplomacisë shqiptare, Olta Xhaçka, e cila është takuar me ambasadorët e vendeve të ndryshme në OKB.
Ministrja Xhaçka është pritur edhe nga sekretari i përgjithshëm të OKB Antonio Gutierres nga i cili ka marrë vlerësimet për kontributin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse nën ombrellën e OKB-së.
Ajo ka thënë për Top Channel se prania e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në KS të OKB-së paraqet një mundësi të jashtëzakonshme dhe prestigj për politikën e jashtme dhe diplomacinë e saj, por edhe si një mundësi e jashtëzakonshme për të thelluar bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët e saj.
E pyetur se si do të ndikojë kjo për Kosovën, ministrja Xhaçka tha se “Kosova është çështje e interesit kombëtar dhe do të kenë një mundësi shumë të mirë përmes të qenit në Këshillin e sigurimit për ta ri-sjellë Kosovën në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
“Patjetër vlen të thuhet që jemi shumë të ndërgjegjshëm për kufizimet që kemi si një vend i vogël në këtë tryezë të madhe, por kjo nuk na pengon që të bëjmë maksimumin për të avancuar ato që janë çështje të interesit kombëtar, çështjet rajonale dhe patjetër ato të paqes dhe sigurisë edhe me gjerë se sa rajoni ynë përmes prioriteteve që i kemi vendosur vetes”, u shpreh ajo.
Ndryshe, KS i OKB-së përbëhet 15 anëtarëve prej të cilëve pesë janë të përhershme dhe me të drejtë vetoje - SHBA, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia. Shqipëria shkon në tryezën e këshillit të sigurimit si kandidaturë konsensuale e grupit të Evropës lindore.