Kompania që po ndërton rrugën e Arbrit po zgjeron kantierin e saj anash rrugës dhe si pasojë po ngushton rrjedhën e lumit që kalon në zonë, sipas banorëve .
Si rrjedhojë nga devijimi i lumit janë gërryer tokat bujqësore dhe banesat e fshatarëve.
Sot banorët e Zall Dajtit dolën në protestë për të kërkuar nga autoritetet të marrin masat e duhura, për të mbrojtur tokat e tyre nga gërryerja e lumit.
Gazetari Endi Mullai, informon nga terreni se, firma e punimeve në zonë po zgjeron pjesën e kantierit të ndërtimit , si pasojë firma ka devijuar rrymën e lumit që kalon përgjatë fshatit. Problematika kryesore e banorëve është se devijimi i lumit rrezikon gërryerjen e tokave bujqësore dhe banesave tyre.
Sipas banorëve devijimi i lumit ka gërryer disa banesa dhe toka.
"Kjo pjesë ka qenë lumë. Me ardhjen e rrugës u zgjerua kantieri dhe gjithmonë kalon në krahun e kundërt. Kjo përbën problem sepse na ka prishur godinat. Ky lumë është shumë i fryrë, gjatë dimrit është i rrëmbyeshëm."
Banorët thonë se pavarësisht ankesave që kanë bërë në institucionet përkatëse, nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata kërkojnë që firma të ndërtojë një mur mbrojtës nga pjesa e tokave dhe banesave tyre, në mënyrë që mos dëmtohen nga rryma e lumit, i cili gjatë dimrit bëhet shumë i vrullshëm.
"Kemi bërë ankesa në perfekturë, bashki. Nuk kemi marrë përgjigje, vetëm fjalë kemi dëgjuar, por nuk kemi parë asgjë të bëhet. Ne kërkojmë që të ndërtojnë mur mbrojtës në pjesën e lumit që janë tokat dhe banesat tona. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës, por duam mbrojtje."