Për Neritan Sejaminin, Lulzim Basha ka dështuar për t’i bindur shqiptarët se “PD nuk ka humbur, pasi zgjedhjet janë vjedhur nga PS-ja”.
Sejamini theksoi se beteja që ka filluar Basha dhe PD-ja për të bindur shqiptarët që është bërë një masakër elektorale dhe zgjedhjet iu janë vjedhur, është një betejë e humbur për sa i përket opinionin publik.
Sipas Sejaminit shumica e anëtarëve të PD-së nuk duhet të ishin të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve dhe kjo gjë duhet të ishte e shprehur pasi më 25 prill PD u bë partia e parë që do të qëndrojë tre mandate në opozitë.
Në analizën e tij Sejamini e konsideroi absurde që në takimet e Bashës në garën për kryetar të PD-së, anëtarët shfaqen të gëzuar. Ai ironizoi se kjo është një “lumturi për humbjen” duke kritikuar këtu luajalitetin e anëtarësisë ndaj kryetarit aktual.
Sejamini këshilloi që opozita të fillojë përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2025.
“Sot më shumë se kurrë duhet të përgatitet pasi e ka shumë të vështirë”, u shpreh Neritan Sejamini për Euro News Albania.