Edi Rama tha se ishte në dijeni prej pak kohësh të vendimit të Gramoz Ruçit për t’u tërhequr nga politika.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kongres, kryesocialisti u shpreh se duke e njohur karakterin e Ruçit e pa se ishte e pamundur që t’i ndryshonte mendje.
“Nuk dua t’ua fsheh se në takimet e fundit të takimeve të panumërta, Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhequr. Duke e njohur besoj që ishte një vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi dhe nga ai çast akoma nuk e gjej dot si do të mbushet boshllëku u largimit të tij. Pa këshillën e Gramozit do i kishim humbur për fajin tim disa prej ndeshjeve. E di që ai do mbetet këshilltari im më i besuar për strategjitë. Merakun e kam te boshllëku i madh të një eksperience të pashoqe”, deklaroi Rama.
Gramoz Ruçi njoftoi në 30-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste tërheqjen nga politika, duke filluar prej muajit shtator, ku nuk do të jetë deputet në parlamentin e ri dhe as do të mbajë post në Partinë Socialiste.