Media zbulon emrin e 41-vjeçarit i cili u arrestua pasi dhunoi dy punonjës së burgut të Fushë Krujës, ndërkohë që duhet të ishte në banesën e tij sepse gjykata i kishte caktuar dënimin alternativ “Qëndrim në Shtëpi”.
Burimet bëjnë më dije se personi që sulmoi efektët është Bledar Coraj.
Në kundërshtim me vendimin e gjykatës, Corra mësohet se kishte dalë nga banesa e tij dhe ishte drejtuar në ambientet e burgut të Fushë Krujës, për të kërkuar shpjegime për transferimin e nipit të tij.
41-vjeçari është përballur me dy policë të burgut dhe pas konfliktit verbal me ta i ka dhunuar.
Corra u arrestua dhe mësohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentet kur është konfliktuar fizikisht me policët e burgut.
Tashmë mbi të rëndojnë edhe dy vepra të tjera penale, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimi” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Kujtojmë që Bledar Coraj u arrestua së bashku me 5 persona të tjerë pas një operacioni masiv antidrogë në Fushë Krujë, në vitin 2017, finalizuar me sekuestrimin e 425 kg kanabis dhe 12 armë zjarri e municion luftarak.
Sipas policisë, ata u arrestuan si pjesë e një grupi që merreshin me shpërndarjen e sasive të mëdha të hashashit nga Kruja në drejtim të Tiranës.
Njoftimi nga Policia e Krujës:
Goditi për shkak të detyrës 2 punonjës të IEVP Fushë Krujë, arrestohet në flagrancë 41-vjeçari që vuante dënimin alternativ “Qëndrim në Shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin B. C., 41 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Ky shtetas ka thyer vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, e cila i ka caktuar dënimin alternativ “Qëndrim në Shtëpi”, për periudhën e mbetur të dënimit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe në ambientet e IEVP Fushë Krujë, ka goditur për shkak të detyrës 2 punonjës të këtij institucioni.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimi” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.