Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike për parregullsi në zgjedhje në qarkun e Fierit, ndërsa pritet që të jepet vendimi edhe për Elbasanin.
Ditë më parë, Kolegji ka rrëzuar paditë edhe për Beratin, Vlorën Gjirokastrën, Korçën, Tiranën, Durrësin dhe Shkodrën.
Përfaqësuesi ligjor i Selisë Blu, Marash Logu, tha se betejës për zbardhjen e asaj që e quan masakër elektorale do të vazhdoje deri në Strasburg.
"Ne e kemi marrë vendimin, e kemi thënë prej ditës së parë dhe do t'i shkojmë deri në fund. Demokratët nuk dorëzohen, ne nuk dorëzohemi, qytetarët nuk dorëzohen. Prandaj ne do ta vazhdojmë deri në fund betejën për zbardhjen e plotë të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ne do ta vazhdojmë deri në fund betejën që asnjë dorë e zezë në Republikën e Shqipërisë, qoftë dora e Edi Ramës, Damian Gjiknurit apo Taulant Ballës të mos mund të ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Këtë betejë jemi të vendosur për ta çuar deri në fund. Do përdorim çdo mjet, çdo mundësi. Grupi i juristëve që është pranë PD-së do përgatisë shumë shpejt strategjinë ligjore që ne do ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 25 prillit," tha Logu.